Kartat e klonuara, refuzohet garancia e dy italianëve
Gjykata e Tiranës, vlerësoi të ligjshëm arrestimin e dy piratëve të informatikës të kapur duke vjedhur me karta në një bankomat
Avokatja e dy xhenovezëve kërkoi një masë më të butë për klientët e saj, të akuzuar për vjedhjen e llogarive të bashkëkombasve të tyre
TIRANË- Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet e cilësoi të ligjshëm arrestimin në flagrancë të dy inxhinierëve italianë nga Xhenova, Luka Kalvi (Luca Calvi) dhe Gabriele Paskualino (Gabriele Pasqualino), të kapur duke "vjedhur" para nga një bankomat nëpërmjet kartave të klonuara të debitit. Për krimin për të cilin akuzohen, gjykata u caktoi dy xhenovezëve, masën e sigurisë "arrest me burg" deri në përfundim të hetimit. Shkak për këtë caktim mase sigurie, sipas gjykatës, është fakti se ndaj tyre prokuroria ka nisur procedimin penal për kryerjen e veprave penale të "mashtrimit" dhe "falsifikimit të letrave me vlerë", në bashkëpunim.
Vetë të arrestuarit, Kalvi dhe Paskualino, nuk kanë preferuar të flasin për akuzat, duke i dhënë të gjitha të drejtat e përfaqësimit avokates Fatbardha Hajdari, e cila në fjalën e saj kërkoi një masë më të butë se "arresti me burg" për klientët e saj.Për një mase më të butë ndaj Paskualinos, avokatja Hajdari e kërkoi kundrejt depozitimit të një shume parash në formën e garancisë pasurore. Të dy këto kërkesa të avokates Hajdari nuk u pranuan nga gjyqtari i masave Arben Konstandini i cili pranoi kërkesën e prokurorit Armand Gurakuqi që dy shtetasit italianë të mbesin në qeli deri në përfundim të hetimeve. Sipas akuzës, i arrestuari Kalvi është personi që ka klonuar e falsifikuar kartat e kreditit, duke kryer edhe vjedhjet e shumave të ndryshme parash në bankomatin e një banke të nivelit të dytë në Shqipëri.
"Në shtator të këtij viti i arrestuari Luka Kalvi me paterica ndër duar i është afruar një bankomati në kryeqytet, duke tërhequr një shumë të konsiderueshme parash. Ndërsa, në tentativën e dytë karta është bllokuar nga bankomati i cili ka fiksuar edhe fytyrën e njeriut që tentonte të kryente veprimin. Që nga kjo ditë sigurimi i filialit të bankës kishte montuar kamera me precizion të lartë në pritje të tërheqësit "vjedhës",-thuhet nga akuza. Sipas tyre, vetëm katër ditë më parë, italiani është shfaqur sërish pranë bankomateve të bankës duke tërhequr para nga llogari të ndryshme të shtetasve italianë, por asnjë shqiptar. Në momentin që ka tërhequr 20 mijë euro Kalvi i shoqëruar nga Paskualino ka tentuar të largohet, ku është rrethuar nga policia dhe arrestuar.
Në momentin e arrestimit, atij i janë sekuestruar edhe 20 mijë eurot e tërhequra me kartë të kreditit të klonuar të një personi me shtetësi italiane me banim në Itali. Sipas akuzës, Kalvi ka klonuar kartat e kreditit tip "Vissa" dhe "Master Card" në Itali dhe më pas ka ardhur në Shqipëri duke kryer vjedhje të ndryshme në disa bankomate të vendosura nëpër Tiranë. Kryesisht "gjahu" i italianit kanë qenë bashkëqytetarët e tij, të cilëve me anë të internetit ia ka çkoduar numrat e llogarive bankare si kodet përkatëse duke kryer më pas vetë tërheqje në emër të tyre.