E Diel, 1 Nëntor 2026

Qëlloi furgonin e plagosi dy gra, kapet i kërkuari

Petrit Pupla u bllokua në banesën e tij nga një grup oficerësh dhe policësh të policisë së qarkut të Dibrës

MAT- Arrestohet nga forcat e policisë së qarkut Dibër, Petrit Pupla, 42 vjeç, i akuzuar si autor i plagosjes së dy grave në gusht të vitit që kaloi. Ky i fundit, i cili ishte shpallur në kërkim për akuzat e vrasjes së mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje, është arrestuar të premten rreth orës 19 .00 në vendin e quajtur Gryka e malit në Macukull të Matit, pas operacionit policor të koduar "Akullnaja". Policia kishte organizuar disa operacione për arrestimin e 42 -vjeçarit dhe nuk kanë rezultuar të suksesshëm, pasi i kërkuari shikonte forcat policore që ishin në ndjekje të tij. Por pas informacioneve për vendndodhjen e saktë të të kërkuarit Drejtoria e Policisë e Qarkut Dibër në bashkëpunim me komisariatin e Matit kanë realizuar operacionin" Akullnaja" që është finalizuar me arrestimin e 42- vjeçarit që kërkohej që prej gushtit të vitit të kaluar. Nga burimet e policisë mësohet se Pupla është rrethuar në banesën e tij, ku fillimisht nuk ka pranuar që të përfundojë në prangat e policisë. Por rreth orës 19.00 të së premtes ai është prangosur, pasi nuk ka pasur asnjë mundësi për t'i shpëtuar arrestimit të policisë. Pas arrestimit, Pupla është dërguar në ambientet e drejtorisë së Policisë së Dibrës, ku është marrë në pyetje për ngjarjen e ndodhur në gusht të vitit që kaloi. Ngjarja për të cilën akuzohet Petrit Pupla ka ndodhur më 28 gusht të vitit 2009, ku sipas policisë, ky i fundit dyshohet se ka qëlluar një fugon me pasagjerë të një linje fshati në Mat, ku për pasojë kanë mbetur të plagosura dy gra pasagjere. Ngjarja ndodhi rreth orës 04.00 të mëngjesit të kësaj date përgjatë aksit rural Shëllijë të të rrethit të Matit. Burimet policore që i referohen ngjarjes pohuan dje se dyshohet se objektivi i atentatorit ka qenë shoferi i automjetit me pasagjerë dhe jo gratë e plagosura, por që ka mundur t'u shmanget plumbave, ndërsa janë plagosur rëndë dy gra pasagjere, Zaide Meta, 55 vjeç dhe Ensurita Meta 20 vjeç, banore të fshatit Shëlli në Mat. Nga hetimet paraprake të policisë, akoma nuk është zbuluar shkaku i atentatit që dyshohet se është kryer nga Petrit Pupla, i cili u arrestua pesë muaj pas ngjarjes për të cilën akuzohet. Pupla, akuzohet për veprat penale të "vrasjes së mbetur në tentativë" dhe "armëmbajtjes pa leje".

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›