E Diel, 1 Nëntor 2026

Lokalet e natës i rikthehen muzikës së lartë

ZHURMAT/ Banorët e Rrugës së Elbasanit ankohen prej një viti, por pa zgjidhur problemin e tyre

TIRANË- Lokalet e zonës së ish-bllokut i janë rikthyer muzikës së lartë që i ka karakterizuar për muaj me radhë, duke sjellë shqetësime tek banorët. E njëjta situatë është krijuar edhe në disa zona të tjera të kryeqytetit. Zhurmat e lokaleve, sipas banorëve, forcoheshin më shumë edhe nga të bërtiturat e klientëve, të cilët kanë sjellë dhe reagimin e qytetarëve për situatën e krijuar. "Loli Pop", "Lizardi" dhe "Çarls" gjatë dy netëve të fundit kanë sjellë shqetësime për banorët me muzikën e lartë. Banorët e pallateve përreth lokaleve kanë kontaktuar me pronarët e tyre duke iu kërkuar që të ulin muzikën, por kanë marrë përgjigje negative. Banorët thonë se shpesh kanë telefonuar si në policinë bashkiake dhe atë të rendit, ku kanë marrë një përgjigje se do të ndërhyjmë.
Por muzika e lartë ka shqetësuar edhe banorët e Rrugës së Elbasanit, ku disa prej tyre prej gati një viti vazhdojnë të ankohen, por pa e zgjidhur problemin e tyre. "Poshtë pallatit 12-katësh ku jetojmë punojnë katër lokale, ku dy prej tyre janë kthyer në një shqetësim serioz për ne me muzikën e lartë që luhet në to. "Pop Lordi" dhe "Terminal" janë dy lokalet që na shqetësojnë vazhdimisht dhe po bëhet gati një vit që po ankohemi në rrugë ligjore, por që nuk kemi zgjidhur gjë. Jemi 16 familje që kemi firmosur një peticion, që e kemi dërguar në Bashkinë e Tiranës për zhurmat shqetësuese të diskos, por ky institucion na ka thënë që nuk është në kompetencën tonë ky problem",- shprehet një përfaqësues i banorëve që jetojnë pranë stadiumit "Qemal Stafa", të cilët vazhdojnë të shqetësohen nga zhurmat e lokaleve që kanë pranë shtëpive të tyre. Banorët janë drejtuar edhe në Institutin e Shëndetit Publik, ku specialistët e këtij institucioni kanë kryer matjet e nivelit të zhurmave dhe sipas banorëve, matjet kanë treguar nivelin e zhurmave jashtë normave të lejuara. Qytetarët shprehen se Policia bashkiake dhe ajo e rendit ia hedhin topin njëra-tjetrës për përgjegjësinë që kanë për të mos lejuar lokalet që të kthehen në një shqetësim me muzikën e lartë dhe zhurmat e klientëve.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›