E Diel, 1 Nëntor 2026

Uashingtoni zyrtar kundër një pakti të ri shqiptaro-maqedonas



SHKUP - Maqedonia nuk ka nevojë për një marrëveshje të re, me të cilën do të rregulloheshin marrëdhëniet mes shqiptarëve, maqedonasve dhe bashkësive të tjera etnike. Kështu është shprehur ambasadori amerikan në Maqedoni Filip Riker duke shtuar se SHBA-të dhe BE përkrahin dhe ndihmojnë zbatimin e këtij dokumenti. Deklarata e ambasadorit Riker erdhi pas kërkesës së PDSH-së për një marrëveshje të re në vend të marrëveshjes së Ohrit. "Ka disa ligje të cilat sipas kornizës së vendosur, duhet të zbatohen në tërësi. Njëri nga ligjet është dhe Ligji për gjuhët, të cilin e pritëm me miratim, kur edhe u votua vitin e kaluarën në Parlament dhe mendoj se tani duhet të ketë debat se si duhet të zbatohet ai ligj. Duhet të ketë debat të vazhdueshëm mes partive, mes grupeve etnike, me qëllim që të arrihet zhvillimi dhe prosperitet në vend. Proces i rëndësishëm është edhe decentralizimi si dhe shpërndarja e pushtetit në nivel lokal", - thotë Filip Riker, ambasadori Amerikan në Maqedoni.
Ambasadori amerikan kërkoi nga kreu i PDSH-së Menduh Thaci pjesëmarrjen në parlament. "Deputetët kanë detyrime ndaj qytetarëve, ndërsa ata të cilët nuk duan të marrin pjesë në institucione, kanë problem me vetveten. Ne inkurajojmë të gjithë t’i bashkëngjiten marrëveshjes së Ohrit, me qëllim që vendi të ecë përpara. Cilado parti, si p.sh. PDSH-ja e cila do të mundohet të largohet nga institucionet, e ul vlerën dhe rolin e saj në politikën në shtet, ndërsa vlerën e saj në shtet e ul gjithnjë më shumë", vijon Riker. Sipas Ambasadorit Rikerit, administrata amerikane përkrah punën dhe debatin për të gjitha çështjet shoqërore politike,vetëm nëse ato zhvillohen brenda institucioneve të sistemit e jo jashtë tij.

SHKURT
Këshilli i Sigurisë: Nën kontroll rendi dhe siguria në Kosovë

PRISHTINË - Këshilli i Sigurisë së Republikës së Kosovës, në takimin e tretë të radhës nën drejtimin e kryeministrit Hashim Thaçi, e ka vlerësuar si të qëndrueshme gjendjen e përgjithshme të sigurisë në vend dhe ka shprehur mbështetjen për finalizimin e Strategjisë Kombëtare të Sigurisë dhe Strategjisë për Forcën e Sigurisë. "Institucionet dhe organet e sigurisë në vend janë duke kryer detyrat e tyre në nivel të lartë dhe ekziston një bashkëpunim i mirë midis Policisë së Kosovës, EULEX-it dhe KFOR-it në fushën e rendit", theksoi kryeministri Thaçi në takimin e sapo mbajtur. Përmes një komunikate pas takimit, bëhet e ditur se është vlerësuar se edhe pse disa incidente kanë ndodhur ditët e fundit në veri të Kosovës, situata e përgjithshme është e qetë dhe ka një progres në menaxhimin e kufijve dhe të doganave.

12 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›