E Shtunë, 31 Tetor 2026

Red Bull, dominuese në Hungari

Fetel në pole, Veber i dyti. Alonso e Masa me Ferrari nisen pas tyre

Kush e di nëse pas provave zyrtare të djeshme në Hungaroring, Fernando Alonso ruan të njëjtin mendim si të premten, kur deklaronte se makinat Red Bull nuk i dukeshin edhe aq larg Ferrarit. Sebastian Fetel dhe Mark Veber dominuan në kualifikueset në çmimin e Madh të Hungarisë dhe pas “luftës” brenda ekipit, nga “pole position” do të niset piloti gjerman. Me kohën fantastike 1’18”773, Fetel ishte i vetmi që arriti të zbriste nën 1’19”, duke mposhtur shokun australian të skuadrës. Ferrari nuk është dorëzuar deri në fund dhe si shpërblim është pozicionuar në vijën e dytë të nisjes, me Fernando Alonson dhe Felipe Masën, por dyshja e “kokëkuqes” ka një distancë të konsiderueshme. Alonso ishte 1,2 sekonda më i ngadaltë se kryesuesi Fetel, ndërsa Masa 1,5.

Gjithsesi, dominimi i makinës Red Bull ishte paralajmëruar që prej provave të lira, të zhvilluara paraditen e djeshme: Veber ishte mbi 1 sekondë më i shpejtë se Ferrari i spanjollit dhe 1,6 sekonda nga Masa. Koha e pestë më e mirë ishte ajo e liderit aktual të Botërorit të Formula 1, Luis Hemilton, që pavarësisht vështirësive të shumta të MekLaren-it, arriti të kufizonte dëmin dhe të pozicionohej menjëherë pas rivalëve direktë në luftën për titull. Anglezi do të niset përpara Niko Rosberg dhe Renove të Petrov e Kubikas. Më pas vijnë De la Roza dhe Hulkenberg.

Por, konkluzioni më i rëndësishëm është që Red Bull tregoi se ka besueshmëri të jashtëzakonshme në të gjithë pistën: pavarësisht se cirkuiti është gjarpërues dhe me shumë ndryshime të drejtimit. Ky është treguesi më i mirë se makina është ndërtuar në mënyrë perfekte. Në anën tjetër, Ferrari tregoi se në këto momente është skuadra e dytë më e fortë e kampionatit dhe ky fakt mund të jetë vendimtar në startin e garës. Nëse Alonso do të arrijë të parakalojë menjëherë njërin prej dy rivalëve, lufta për vendin e parë mund të bëhet edhe më interesante. Gjithsesi, piloti spanjoll do të ishte i kënaqur edhe me një vend në podium, mbi të gjitha nëse do ta mbyllte garën përpara dyshes së MekLaren, të cilët kryesojnë botërorin. E papritura e ditës së djeshme ishte eliminimi i Xhenson Baton në seksionin e dytë të provave: ai do të niset nga vendi i 11-të, i shkëputur me 17 të mijtat nga Hulkenberg me Uilliams.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›