Premier, Anglia e të varfërve, Siti bën kërdinë, të tjerët asgjë
Data 8 gusht shënon edhe fillimin zyrtar të futbollit anglez. Sfida e “Charity Shield” (e ngjashme me Superkupën e një kampionati) mes çelsit dhe Mançester Junajtidit është trofeu i parë i vitit të ri futbollistik, por lajmi, për herë të parë pas shumë vitesh, është se Anglia po bën një merkato të vakët. Po, sepse përjashto Mançester Sitin (Silva, Jaja Ture, Baloteli...) edhe në kampionatin e Madhërisë së Saj paratë duket se janë zhdukur plotësisht. Mjafton të analizosh fushatat e blerjeve të katër ekipeve më të mëdha për ta kuptuar. E nisim nga çelsi, kampioni në fuqi. Njerëzit e Ançelotit janë në kuotën një. Iku Balak në drejtim të Leverkusenit. Drejtuesit e kanë zëvendësuar me Benajun i cili vjen nga Liverpuli dhe, trajneri italian duket se e pëlqen këtë lojtar. Sigurisht që kishin kërkuar një sulmues me peshë (të klasit botëror) për të ndezur egon e Anelkasë dhe të një Drogbaje (të datëlindjes ’78), që, pas dëmtimit “botëror” vështirë të arrijë të ripërsërisë paraqitjen e vitit të kaluar. Emri ishte ai i Torres dhe gjuetia është e hapur, por financat e pafundme ruse për herë të parë janë tkurrur përballë kërkesave të Liverpulit. Gjithsesi grupi që ka në dispozicion Ançeloti është me një moshë mesatare të re. Ndërsa trajneri i ri i Liverpulit, Hodgson, ka qenë më aktiv në merkato edhe pse klubi është në krizë financiare. Një goditje në sytë e të gjithëve mund të duket ajo e Xho Kol, por kujdes, sepse ish-mesfushori i talentuar i çelsit vjen në “Anfield Road” me parametra zero. Pra, blerja e vërtetë është pikërisht Jovanoviç nga Standard Liezhi, i cili, krahasuar me Torresin, Ksabi Alonson, Aquilanin, Glen Xhohnson, duket thjesht një gjë e vogël. Arsenali i Vengerit të zbulimeve të mëdha nuk ka bërë kurrë surpriza dhe nuk do ta bëjë. Nuk është politika e klubit. Në veri të Londrës, shifrat e rëndësishme investohen në sektorin e të rinjve dhe, nuk është rastësi, nëse blerja më e rëndësishme e verës ka qenë Koscielni, mbrojtësi francez nga Lorient. Uillshajer (i datëlindjes ’92), rikthehet në shtëpi pas huazimit te Bolton. Pra edhe këtu paratë janë parë shumë pak. Ja pra pse bomba e vërtetë e merkatos është Havier Hernandez, i mbërritur nën drejtimin e Sër Aleks Ferguson. Për djaloshin meksikan, Junajtid ka derdhur një shifër te 10 milionë eurot, në fakt, përjashto harxhimet e kushërinjve të pasur arabë, është një nga shifrat më të mëdha të para në Premier League. Kjo varfëri e merkatos së Premier League nuk është vetëm respekt i “Fair Play” financiar të imponuar nga UEFA, por ka lidhje se të gjithë (përjashto Spanjën), e kanë kuptuar se ka përfunduar momenti kur “luanin” me bilancin. Shifrat e manjatëve janë më të pranueshme dhe, vrimat e bilancit duhet të zhduken.
#