Reduktimi i KFOR-it, në përputhje me rritjen e sigurisë
Ministri shqiptar ishte pjesëmarrës në takimin e ministrave të vendeve anëtare të NATO-s që u zhvillua në Stamboll. "Ajo që mund të themi është se ka një vlerësim të përgjithshëm, të cilin e ndan dhe Shqipëria, se historia e NATO-s në Kosovë, është një histori suksesi. Vendi ka ardhur drejt stabilizimit. Kemi një vend ku janë mbajtur zgjedhje të rregullta dhe që ka dëshmuar maturi politike", është shprehur Imami për mediat e huaja. Sipas tij, gjendja e përgjithshme e sigurisë në Kosovë është e kënaqshme dhe kjo bën që dhe prezenca e ushtarake do të shkojë në raport të zhdrejtë me rritjen e sigurisë. "Ne, në mënyrë të veçantë, jemi të interesuar që ky proporcionaliteti të jetë sa më i qartë". Ndërkohë, për zonën e veriut të Kosovës, ai vlerëson se në një masë të caktuar është jashtë kontrollit të autoriteteve vendore atje. "Duke pasur parasysh që strukturat e pushtetit lokal janë të sponsorizuara nga Beogradi, çka shkon kundër të gjitha përpjekjeve të Aleancës dhe të aleatëve, mendojmë që çdo hap duhet të jetë i kujdesshëm", thekson Arben Imami.