Reeker: Problemet zgjidhni vetë

Ambasadori amerikan në Shkup, Philip Reeker theksoi se liderët vendor në Maqedoni janë përgjegjës që mes tyre ti zgjidhin problemet e tyre në mënyrë demokratike.
Ai këtë e deklaroi duke komentuar një letër të drejtuar nga kryetari i DR-së në adresë të tij, për ndërhyrje në kapërcimin dhe ndërmjetësimin e krizës së fundit politike.
“Mendoj se kemi bërë të qartë se ne jemi këtu si diplomat për të vëzhguar Maqedoninë dhe për të vazhduar marrëdhëniet tona diplomatike. Ne besojmë se Maqedonia e cila është në kufirin e anëtarësimit në NATO dhe negociatave me BE-në, mund të zgjidhë problemet në mënyrë demokratike, duke shfrytëzuar institucionet vendore. Liderët politik janë përgjegjës ndaj qytetarëve dhe kanë për detyrim ti zgjidhin këto probleme, për shkak se qytetarët e presin këtë nga ata. Unë pres që ata ta bëjnë këtë vetë”, deklaroi ambasadori Reeker, duke nënvizuar se SHBA do të vazhdojnë të mbështet Maqedoninë.