E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vettel triumfon në Australi

Ngasësi i Red Bullit, Sebastian Vettel në stilin e kampionit në fuqi në Formula 1 fitoi garën e parë të sezonit në Australi. Gjermani 23 vjeç dominoi garën duke udhëhequr nga fillimi deri në fund. Lewis Hamilton nga McLareni ishte i dyti, ndërsa Vitaly Petrov nga Lotus Renault siguroi podiumin e parë në karrierë. Nga Express më 27 mars 2011 në ora 16:52

Kampioni i botës në fuqi, Sebastian Vettel nga Red Bulli e filloi sezonin e ri në Formula 1 në stil të jashtëzakonshëm duke fituar garën për Shpërblimin e Madh të Australisë, të dielën, të cilën e udhëhoqi nga fillimi deri në fund.

Ngasësi i McLarenit, Lewis Hamilton doli i dyti, ndërsa rusi Vitaly Petrov nga Lotus Renault për herë të parë në karrierën e tij përfundoi në podium. Gjermani 23 vjeç siguroi fitoren e tij të 11-të në garën e tij të 64-t në Formula 1. Fernando Alonso përfundoi i katërti në Ferrari, ndërsa Mark Webber në bolidin e dytë të Red Bullit doli i pesti. Jenson Button ishte i gjashti në McLaren.

“Ishte garë e mirë. Në fund gjërat u qetësuan, Lewis nuk insistoi, por nuk ishte një garë e lehtë. Starti ishte vendimtar, isha në anën e pastër, por nuk dija nëse kjo do të më mjaftonte që të arrij të dal në kthesën e parë.

Derisa Lewis mbeti më prapa në vazhdim të garës, nuk ndjeja presion, andaj isha në gjendje ta kontrolloj garën”, tha Vettel, i cili sa i përket sezonit në vazhdim, shtoi: “Është sezon i gjatë, andaj ne duhet të vazhdojmë të bëjmë atë që jemi duke bërë tani, të kënaqemi, por edhe të vazhdojmë punën e madhe”. Edhe Hamilton ishte i kënaqur me pozitën e dytë. “Ne mund ta marrim këtë rezultat dhe të jemi krenarë me veten. Një ose dy javë më parë nuk kishim pritur të jemi në pesë pozitat e para, andaj të jemi të dytët është arritje e madhe”, tha ai.

Petrov ishte krenar me pozitën e tretë.

“Të jem i sinqertë, nuk mund të besoj se jam ulur këtu me këta djelmosha. Ne nuk e dinim se ku qëndrojmë, por në prova dhe kualifikime ishim të mirë. Në garë, ekipi bëri gjithçka në mënyrë të përkryer. Mund të jemi krenarë nga ajo që kemi arritur”, deklaroi ai.

Ngasësi tjetër i Ferrarit, Felipe Massa ishte i shtati para Sebastien Buenit në Toro Rosso. Pikët e fundit u takuan dy ngasësve të skuadrës Force India, Adrian Sutil dhe Paul Di Resta.

Rezultatet e garës:

1 Sebastian Vettel1:29:30.259
2 Lewis Hamilton+00:22.297
3 Vitaly Petrov+00:30.560
4 Fernando Alonso+00:31.772
5 Mark Webber+00:38.171
6 Jenson Button+00:54.304
7 Felipe Massa+01:25.186
8 Sebastien Buemi+ 1 xhiro

Renditja e përgjithshme:

1 Sebastian Vettel25 pikë
2 Lewis Hamilton18
3 Vitaly Petrov 15
4 Fernando Alonso12
5 Mark Webber 10
6 Jenson Button 8
7 Felipe Massa 6
8 Sebastien Buemi4

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›