E Diel, 1 Nëntor 2026

Reeker Zgjedhjet ne Shqiperi te demonstrojne pjekurine demokratike te nje vendi te NATO-s

Zgjedhjet në Shqipëri të demonstrojnë pjekurinë demokratike të një vendi të NATO-s. Ka qenë ky mesazhi i Zv/Ndihmës Sekretarin e SHBA-ve, Ambasadorin Philip T. Reeker gjatë një takimi në Shkup me Zv.Ministren e Jashtme të Shqipërisë, znj. Edith Harxhi, ndërsa shprehu mbështetjen e SHBA-ve ndaj Shqipërisë.
Diplomati përsëriti qëndrimin e SHBA për nevojën e një procesi të drejtë zgjedhor dhe për pranim të rezultatit nga palët e përfshira në proces. Ai po ashtu çmoi si pozitive ecurinë e deritanishme të fushatës dhe kërkoi që edhe procesi i votimit dhe numërimit të ruajnë të njëjtin standard. Ai tha se KQZ duhet të plotësohej, por gjithsesi për cdo kontest duhet të shfrytëzohen rrugët kushtetuese. Këto zgjedhje në përgjithësi duhet të demonstrojnë pjekurinë demokratike të një vendi anëtar në NATO-s, tha z. Reeker, i cili u shpreh optimist që këto zgjedhje do të jenë një hap përpara për Shqipërinë.

Znj. Harxhi nga ana e saj bëri një ekspoze të gjerë mbi ecurinë e deritanishme të fushatës zgjedhore dhe tha se qeveria shqiptare ka marrë të gjitha masat që zgjedhjet e 23 qershorit të zhvillohen në përputhje me standardet më të mira demokratike. Ajo tha se në këtë fushatë partitë politike kanë paraqitur programet e tyre dhe dita e votimit me 23 qershor do të jetë një ditë e qetë. Ajo shfrytëzoi rastin për të shprehur edhe një herë mirënjojen e qeverisë shqiptare për angazhimin e një numri të madh vëzhguesish nga SHBA dhe shprehu mbështetjen e kësaj qeverie për misionin e OSBE/ODIHR-it, të cilëve u janë krijuar të gjitha kushtet për një mission të suksesshëm vëzhgimi.

Zoti Reeker dhe zonja Harxhi diskutuan edhe mbi ecurinë pozitive të ministerialit të sotëm të Kartës së SHBA- Adriatikut A5, që u zhvillua në Shkup si dhe për perspektivën euro-atlantike të të gjithë rajonit tonë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›