E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ miraton buxhetin, 9.6 mln lekë për zgjedhjet

Zgjedhjet e pjesshme lokale do t‘i kushtojnë shtetit shqiptar 9.6 milionë lekë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi dje strukturën e shpenzimeve buxhetore për këtë proces zgjedhor që do të mbahet në pesë njësi vendore në disa qarqe të vendit.
Sipas vendimit, totali i shpenzimeve i detajuar sipas zërave parashikon shpenzimet për pagat e personelit të përkohshëm, shpërblimin për anëtarët e Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor, të Komisioneve të Qendrave të Votimit dhe Grupeve të Numërimit të Votave. Gjithashtu, në këtë buxhet përfshihen dhe shpenzime për materiale specifike, si për prodhimin e fletëve të votimit, të materialeve për shtypshkrime, shërbime transporti, udhëtime, dieta etj. Zgjedhjet e pjesshme të 15 nëntorit do të mbahen në pesë njësi vendore të vendit, pas mbetjes vakante të postit të kryetarit të këtyre njësive, të cilët kanë fituar mandatin e deputetit në zgjedhjet e 28 qershorit. Sakaq, Partia e Bashkimit për të Drejtat e Njeriut dorëzoi listën e emrave për anëtarët e KZAZ-ve pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke zgjidhur kështu ngërçin e konstituimit të këtyre strukturave. Më pas, partitë duhet të dorëzojnë pranë tyre emrat e kandidatëve për krerët e komunave dhe bashkive që do të përfshihen në zgjedhje.

A.Th.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›