Ringjallet protesta opozitare në Teheran: mijëra veta në shesh
Dje dhuna ka shpërthyer sërish në rrugët e Teheranit, ndërsa forcat iraniane të sigurisë janë përplasur me mijëra aktivistë opozitarë që kërkonin të prishnin grumbullimin e njerëzve të sponsorizuar nga qeveria për të përkujtuar 30-vjetorin e sulmit në ambasadën amerikane. Demonstruesit janë sulmuar egërsisht nga trupat e milicisë dhe ushtarët e Gardës Revolucionare. Ata janë sulmuar me shkopinj gome dhe me gaz lotsjellës. Disa burime njoftojnë se është goditur keqas edhe një lider i opozitës dhe ish-kryetar i Parlamentit, si edhe shumë gra e fëmijë që merrnin pjesë në tubimin e opozitarëve. Ndër personat e ndaluar nga policia ka qenë edhe mamaja e vajzës që u vra gjatë protestave paselektorale, Neda Soltan. Si edhe në raste të tjera, gazetarët e huaj nuk janë lejuar të marrin pjesë në vendngjarje, duke u mbajtur të bllokuar në një pjesë të qytetit larg trazirave. Këtë herë, ndërhyrja e forcave të rendit ka qenë nga të gjitha anët dhe shumë më e ashpër se gjatë ditëve të protestave që pasuan zgjedhjet presidenciale. Veç policëve në rrugë, qielli është kontrolluar nga helikopterët. Për sa i përket medias vendase, ajo ka shfaqur vetëm foto të protestuesve që ishin mbledhur për 30-vjetorin e sulmit ndaj ambasadës amerikane, ndërsa për protestat e tjera nuk është dhënë asnjë lloj informacioni. Ata që kanë marrë pjesë në përkujtimin e organizuar nga qeveria kanë hedhur parulla antiamerikane dhe kanë djegur simbolet amerikane. Vetëm pak hapa më tutje kundërshtarët e regjimit kanë hedhur parulla kundër Presidentit të vendit, Ahmadinexhad, dhe qeveritarëve të tjerë. Turmat e kundërshtarëve të regjimit përbëheshin më së shumti nga studentë të Universitetit të Teheranit dhe hidhnin parulla: "Jo më frikë. Jemi të gjithë së bashku".
Demonstrata të tilla të opozitës janë planifikuar edhe në qytete të tjera të vendit ditët në vijim. Këtë herë pritet që edhe reagimi i policisë dhe forcave të rendit të jetë shumë më i ashpër, pasi një rizgjim i protestave nuk është aspak shenjë e mirë për një pushtet që është kundërshtuar hapur sapo erdhi në pushtet dhe vazhdon të kundërshtohet në mënyrë të vazhdueshme nga një pjesë e konsiderueshme e popullsisë. Parandalimi i protestës së sotme ka qenë një mision i pamundur për qeveritarët, të cilët thuhet se kishin informacione, por nuk mendonin se numri i njerëzve do të kishte qenë kaq i madh.