Buzek: Serbia të normalizojë marrëdhëniet me Kosovën

Presidenti i Parlamentit Evropian, Jerzy Buzek ka thënë se “vazhdimi i dialogut me Kosovën është kushti i vetëm i Serbisë për të marrë statusin e kandidatit, duke shtuar se ky nuk është kusht i ri, por detyrim ekzistues i mëparshëm”.
Sipas tij, Serbia deri më tani ka bërë shumë në rrugën e saj drejt BE-së, por ajo “duhet të luajë një rol konstruktiv në rajon, para së gjithash me riangazhim në dialogun me Kosovën dhe në normalizimin e marrëdhënieve me Prishtinën”.
Në një intervistë për gazetën “Vecernje novosti” para vizitës në Beograd, Buzek ka vlerësuar se situata në veri të Kosovës është jo e stabilizuar. Por ai ka porositur që të gjitha përpjekjet duhet të përqendrohen në atë që të mos rrezikohen proceset afatgjate.
Sa i përket normalizimit të marrëdhënieve, Buzek tha se Komisioni Evropian pret përkufizimin e kornizës së dialogut rreth së cilës mund të dyja palët të bien dakord.
Ai tha se duhet dhënë fund retorikës nxitëse, e cila krijon ndarje, të hidhet poshtë çdo lloj nxitjeje për tensione, si dhe është urgjente ndërprerja e konfliktit në veri të Kosovës.