Referendumi ne veri kryeministri Berisha mbeshtet qeverine e Kosoves

Kryeministri, Sali Berisha mbështet plotësisht qëndrimin e Qeverisë së Kosovës ndaj referendumit të paligjshëm të serbëve në komunat e veriut të Mitrovicës. Në vlerësimin e kreut të qeverisë shqiptare, ky akt i pavlerë dhe pa konsekuencë, për sa i përket integritetit territorial dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës, është vepër e strukturave paralele dhe qarqeve të Beogradit që i mbështetin ato. Ai ka si qëllim mbajtjen në rend dite të një skenari të rrezikshëm, që synon ndryshimin e kufijve ekzistues, sipas linjave të pastërta etnike në rajonin tonë. Kryeministri Berisha nënvizon faktin se “respektimi i kufijve aktual të Ballkanit, është i një rëndësie themelore për paqen, stabilitetin, bashkëpunimin rajonal dhe integrimin euroatlantik dhe europian të kombeve dhe vendeve tona”.