E Shtunë, 31 Tetor 2026

Procedurat që duhen ndjekur për t’u bërë banor i Tiranës

Dokumentet dhe afatet për të marrë pasaportizimin në kryeqytet. Vërshimi drejt kryeqytetit, pengesat që hasen kur nuk janë të regjistruar

Emanuela Sako

Për t’u bërë banor i Tiranës apo i ndonjë qyteti tjetër ju duhet vetëm një muaj kohë. Për këtë mjafton që të bësh pasaportizimin në Tiranë dhe t’u nënshtrohesh disa procedurave ligjore, që nënkupton shkëputjen nga vendbanimi i mëparshëm dhe regjistrimin në një vendbanim të ri. Kështu, kushdo që kërkon të bëhet banori më i ri i Tiranës duhet të drejtohet në një nga 11 minibashkitë për të dorëzuar dokumentacionin e nevojshëm me të dhënat familjare dhe kërkesën për shkëputjen nga vendbanimi i mëparshëm. Pas dorëzimit të dokumentacionit në njërën nga njësitë bashkiake, ku pretendon të jetosh, procedurat e tjera i takojnë njësisë përkatëse dhe njësisë së vendbanimit të mëparshëm për të bërë shkëputjen përfundimtare. Njësia e re ku aplikon dërgon të dhënat në njësinë e mëparshme, nga ku vijnë të gjitha materialet dhe bëhet regjistrimi i ri.
Dokumentacioni
Për të bërë regjistrimin e ri duhet të paraqiten në njësinë e re një numër dokumentesh. Kështu, dokumentet që duhet të dorëzohen janë një certifikatë familjare, që tregon përbërjen e familjes me të cilën do të ndahet banesa. Pjesë e dokumentacionit është edhe një vërtetim i noterizuar që tregon nëse personi që kërkon të bëhet banor i Tiranës ka shtëpi apo jeton me qira. Për këtë duhet që të njihet edhe vendndodhja e shtëpisë, qoftë pronë e personit apo pronë private. Kjo procedurë ndiqet sepse një pjesë e madhe e të ardhurve nga rrethet jetojnë në shtëpi me qira, ndërkohë që duan të jetojnë dhe të përfitojnë të gjitha të drejtat e punësimit apo jetesës në vendbanimin e ri.
Numri i popullsisë
Nga përpunimi i të dhënave të grumbulluara nga Zyra e Gjendjes Civile pranë Bashkisë së Tiranës, popullsia e qytetit për periudhën janar – mars 2008 arrin në rreth 602 041 banorë, nga të cilët 49.4% janë meshkuj dhe 50.6% janë femra. Ndërkohë që numri i popullsisë së kryeqytetit rritet gjithmonë e më shumë, pasi numri i të ardhurve nga rrethet që duan ta ndërtojnë jetën në Tiranë rritet gjithmonë e më shumë. Kjo bëhet për shkak të mundësive që u jep një qytet i madh, ku ka më shumë mundësi punësimi, shkollimi, edukimi etj. Burime nga Bashkia e Tiranës bëjnë të ditur se në çdo muaj ka dhjetëra regjistrime të familjarëve që kërkojnë të bëjnë pasaportizimin në Tiranë. Sipas këtyre burimeve, numri i kërkesave për të bërë dokumentet për të qenë banor i Tiranës vitet e fundit ka pësuar një rënie të lehtë. Kjo sepse fluksi më i madh i shpërnguljeve ka qenë para viteve 2000, ose pas viteve ’90. Shumë banorë të zonave rurale apo dhe të qyteteve të vogla, të nivelit të dytë apo të tretë, kanë kërkuar që ta ndërtojnë jetën në qytetet e mëdha.
Mundësitë
Një pjesë e qytetarëve jetojnë në Tiranë dhe nuk kanë bërë pasaportizimin për të qenë banor të saj. Por kjo mënyrë jetese në kryeqytet bëhet shkak për një numër çështjesh, pasi dalin disa pengesa në disa raste. Kështu, nëse nuk ke pasaportizimin në kryeqytet, atëherë nuk njihesh si banor i tij. Për këtë arsye shumë familjarë që vijnë në Tiranë dhe nuk përfundojnë procedurat e pasaportizimin, hasen në disa probleme si në rastet e regjistrimit të fëmijëve në shkolla apo kopshtet shtetërore, ose në rastet kur punësimin duhet të jetë pranë institucioneve shtetërore. Kjo vlen edhe për të gjithë studentët që mbarojnë fakultetin, ata nuk mund të jenë pjesë e punës në shtet. Për t’u bërë pjesë e punonjësve që paguhen në mënyrë të rregullt nga shteti duhet që pranë institucionit përkatës të paraqitet dokumentacioni i rregullt, ku pjesë e tij është edhe vendbanimi.
Në të kundërt, të gjithë pretendentët që duan të punojnë në një nga institucionet shtetërore dhe nuk kanë pasaportizimin nuk mund të punësohen në Tiranë, por duhet të aplikojnë për punë pranë vendbanimit të tyre ku figurojnë të regjistruar. Ndërsa nëse kryhet pasaportizimi me të drejta të plota, mund të quhesh banor i Tiranës dhe mund të kesh mundësi aplikimi për të gjitha atributet që nuk mund të të ofroheshin më parë. Të tilla janë mundësit e punësimit në institucionet shtetërore, mundësitë e regjistrimit të fëmijëve në kopshte dhe çerdhe, mundësinë e marrjes së patentës së makinës, mundësin e tërheqjes së pensionit pranë njësive përkatëse ku figuron i regjistruar.

Papunësia
Në rastet kur nuk figuron i regjistruar në njërën nga njësit bashkiake, qytetarët do të “vuajnë” edhe për shumë kohë për të gjetur një vend pune të sigurt dhe të rregullt në shtet. Sipas studimeve dhe të dhënave zyrtare, papunësia do të mbetet një problem shqetësues për vendin tonë edhe për shumë kohë dhe sidomos derisa një pjesë e banorëve të jenë të paregjistruar. Rastet për të ndryshuar vendbanimin nga një qytet apo fshat në tjetrin kanë më tepër karakter social dhe sidomos atë të mundësisë së punësimit. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, në të gjithë vendin numërohen rreth 143 mijë të papunë. Por kjo shifër është shumë herë më e lartë, duke pasur parasysh se jo të gjithë të papunët regjistrohen në zyrat e punësimit, ndërkohë që nuk ka të dhëna as për të papunët në sektorin e bujqësisë. Por pavarësisht gjendjes që vjen duke u rënduar, Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta ka parashikuar për këtë vit vetëm tre projekte për punësim, që parashikojnë në total hapjen e 1500 vendeve të reja të punës. Nga këto vende pune që do të hapen, një pjesë e mirë e tyre do t’u takojë edhe të ardhurve nga rrethet. Por edhe pse nga fakultetet dalin çdo vit me mijëra të rinj, këtë vit vetëm 500 prej tyre do të punësohen. Edhe gjatë vitit të kaluar situata ishte e njëjtë. Projektet e Ministrisë parashikonin punësimin e vetëm 2 mijë njerëzve. Një shifër minimale për një fenomen si papunësia që aktualisht llogaritet në nivelin 13.2 për qind.

Strehimi
Një pjesë e madhe e atyre që sapo bëjnë pasaportizimin kërkojnë mënyrë strehimi dhe shumica e tyre drejtohen pranë Bashkisë së Tiranës. Mënyrat e strehimit për të gjithë këta banorë është trajtimi me bonusin e qirasë, ku mund të përfitojnë një pjesë të qirasë që do t’iu paguhet nga Bashkia. Kjo pasi regjistrimi si banor i Tiranës të jep mundësinë e aplikimit për të përfituar bonusin e qirasë apo për të përfituar një mundësi tjetër strehimi për një periudhë të caktuar kohore. Bashkia e Tiranës ofron disa programe sociale për strehimin e banorëve të zonave urbane. Bashkia ofron programe të banesave sociale me qira në të cilat përfshihen: banesat, që ndërtohen apo blihen nga tregu i lirë nga bashkitë ose nga organizatat e tjera jofitimprurëse, të cilat jepen me kontratë qiraje; banesat ekzistuese, në pronësi të personave fizikë ose juridikë, të cilat janë klasifikuar nga organet e qeverisjes vendore apo nga organizatat jofitimprurëse si banesa sociale, që mund të jepen me qira për familjet që përfitojnë bonus strehimi; objektet e dala jashtë funksionit, si rezultat i mbylljes së një veprimtarie, të cilat kanë kaluar në pronësi të bashkive dhe janë miratuar për t’u kaluar në fond banesash sociale me qira, në përputhje me planin rregullues urbanistik.

Në rastet kur jeton në Tiranë dhe nuk ke pasaportizim, problemet që dalin:
Regjistrimi në shkolla të ciklit të ulët dhe të mesëm
Regjistrimi në kopshte dhe çerdhe
Punësimi në institucione shtetërore
Kryerja e kursit të patentës
Lidhja martesore
Regjistrimi i fëmijës kur lind
Për shërbimin shëndetësor nuk ka mundësinë e mjekut të familjes
Pensionistët nuk e marrin pensionin në qytetin banues

Rastet kur je banor i Tiranës:
Jepet e drejta për regjistrimin e fëmijës në shkollë apo kopsht
Jepet e drejta e punësimit në institucionet shtetërore
Jepet e drejta e kryerjes së kursit të patentës
Jepet e drejta për tërheqjen e pensionit në vendbanimin e ri
Jepet e drejta për të kryer lidhjen martesore
Jepet e drejta për shërbimin shëndetësor pranë lagjes dhe ndjekjen nga mjeku i familjes

Dokumentacioni
Certifikatë familjare
Vërtetimi i shtëpisë me qira apo pronë i noterizuar
Kërkesë për t’u bërë banor

Afati
Një muaj nga nisja e procedurave

Në rastet kur jeton në Tiranë dhe nuk ke pasaportizim, problemet që dalin:
Regjistrimi në shkolla të ciklit të ulët dhe të mesëm
Regjistrimi në kopshte dhe çerdhe
Punësimi në institucione shtetërore
Kryerja e kursit të patentës
Lidhja martesore
Regjistrimi i fëmijës kur lind
Për shërbimin shëndetësor nuk ka mundësinë e mjekut të familjes
Pensionistët nuk e marrin pensionin në qytetin banues

7 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›