Reforma, KQZ depoziton propozimet pranë komisionit
TIRANË Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është një tjetër institucion, që dje ka depozituar propozimet e saj pranë komisionit për Reformën Zgjedhore. Përmes propozimeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk kërkon ndryshim të sistemit, por shtim të zonave të administrimit zgjedhor. Në draftin që KQZ-ja u ka dërguar anëtarëve të komisionit të Reformës, kërkohet shtimi në 100 nga 66 i numrit të KZAZ-ve si dhe më tepër kohë për shtypjen e fletëve të votimit. Në Kodin e ri, sipas KQZ-së, duhen përcaktuar edhe afate të reja për ruajtjen e fletëve, të cilat nuk duhen djegur më, por ricikluar. Komisionit të reformës i kërkohet të ripërcaktojë edhe renditjen e koalicioneve dhe subjekteve në fletën e votimit. KQZ propozon gjithashtu se në rast se një anëtar i KQZ-së apo i komisioneve të niveleve të dyta largohet për mbi dy orë nga vendi i punës ditën e zgjedhjeve, atëherë ai duhet të shkarkohet automatikisht.