Lehtësimi i borxhit, BSH ul çmimin e lekut me 0.25%
Këshilli i ri Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka vendosur të ulë vlerën e lekut në 4,75% nga 5%, me qëllim lehtësimin e borxhit të brendshëm dhe çlirimin e kredisë për ekonominë
Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë një tjetër lëvizje për lehtësimin e borxhit të brendshëm, i cili është në nivelin e 60%, sa dyfishi i mesatares së rajonit dhe çlirimin e kredisë për ekonominë. Megjithëse kjo nuk është një masë monetare që ndërmerret në kushte normale, Banka e Shqipërisë brenda kompetencave dhe normave ligjore, ashtu siç e kishte paralajmëruar, jo më shumë se një muaj më parë, uli normën bazë të interesit me 0,25%, duke e çuar vlerën e lekut nga 5% në 4,75%, me qëllim që t’i shërbejë si lehtësi borxhit të brendshëm. Këshilli Mbikëqyrës ndërmori këtë vendim në varësi të shtrëngimit fiskal dhe ngjarjeve në eurozonë. Banka e Shqipërisë nuk ka ndërmarrë më parë një politikë monetare për të ulur normën bazë të interesit në mënyrë kaq të shpeshtë, por domosdoshmëria e mbajtjes së borxhit publik nën kontroll ka diktuar BSH që të ndihmojë qeverinë me interesat e borxhit të brendshëm. Ulja e normës bazë të interesit do t’i japë mundësi qeverisë të kursejë në interesat e borxhit të brendshëm si dhe do të detyrojë bankat të kërkojnë kreditorë, ndërkohë që do ta bëjë lekun më pak tërheqës si monedhë për depozita në krahasim me euron. Sipas BSH-së, ulja e normës bazë të interesit ndërmerret në kushtet e presioneve të kontrolluara inflacioniste përgjatë horizontit kohor të politikës monetare si dhe në mbështetje të pritjeve për një politikë fiskale më të përmbajtur gjatë periudhës së ardhshme. “Në gjykimin e Këshillit Mbikëqyrës, një vendim i tillë ofron kushtet e përshtatshme monetare për përmbushjen e objektivit afatmesëm të inflacionit. Kjo lëvizje rrit njëkohësisht stimulin monetar dhe nxit aktivitetin ekonomik në vend. Banka e Shqipërisë do të ndjekë me vëmendje të veçantë zhvillimet e ardhshme ekonomike dhe financiare brenda dhe jashtë vendit, dhe mbetet vigjilente në marrjen e masave të duhura për përmbushjen e mandatit të saj.”- tha guvernatori Ardian Fullani gjatë konferencës së djeshme për shtyp. Gjatë fjalës së tij për mediat guvernatori Fullani vërejti se aktiviteti ekonomik ka vijuar të mbështetet kryesisht nga kërkesa e huaj dhe rritja e eksporteve, ndërkohë që ndikimi i sektorit publik ka ardhur në rënie dhe konsumi e investimet private mbeten të dobëta. Sipas tij, në veçanti, kërkesa e sektorit privat vlerësohet të jetë e ngadaltë. “Edhe pse në kushtet e ecurisë pozitive të të ardhurave reale, shpenzimet konsumatore vlerësohen të dobëta, të ndikuara nga pasiguria për të ardhmen dhe nga orientimi i rritur i konsumatorit shqiptar drejt kursimit. Nga ana tjetër, edhe nevoja e bizneseve private për ndërmarrjen e investimeve të reja është e ulët, në kushtet e një kërkese të moderuar për mallra dhe shërbime, dhe në prani të shfrytëzimit jo të plotë të kapaciteteve të prodhimit.”- u shpreh ai. Ndërsa politika fiskale ka qenë stimuluese gjatë vitit 2011. Deficiti buxhetor për dhjetë muajt e parë të vitit rezultoi 30.9 miliardë lekë ose rreth 33.0% më i lartë se një vit më parë. Ecuria e deficitit buxhetor është përcaktuar nga rritja e ngadaltë e shpenzimeve dhe të ardhurave buxhetore, me përkatësisht 3.9% dhe 1.4% në terma vjetorë. Natyra stimuluese e politikës fiskale ka ardhur në zbehje pas tremujorit të parë të vitit, sikurse tregohet nga ngadalësimi i rritjes së shpenzimeve publike dhe të deficitit buxhetor. Kjo sjellje fiskale ka ndikuar në mbajtjen nën kontroll të nivelit të borxhit publik. Banka e Shqipërisë e vlerëson këtë të fundit si një nga treguesit më të qenësishëm të stabilitetit makroekonomik të vendit.