E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reforma Zgjedhore, LSI: Bllokim të Kuvendit dhe protesta

Ekspertët e Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste do të marrin në shqyrtim në fillim të javës së ardhshme disa prej kapitujve të rëndësishëm të Kodit Zgjedhor. Burimet nga Komisioni Parlamentar i Reformës sqaruan dje se puna për hartimin e draftit final thuajse është mbyllur. Sakaq, fillon të konturohet edhe një herë skema mbi të cilën do të ndërtohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe komisionet vendore që do të reduktohen. Burimet nga negociatat rrëfejnë se ditën e hënë ose të martë do të mblidhen ekspertët për të konkretizuar çështjen e llogaritjes së mandatit të deputetëve në çdo qark. Më tej, do të flitet edhe për çështjen e ndërtimit të koalicioneve zgjedhore dhe rregullat e administrimit të zgjedhjeve. Ajo çka mbetet për t‘u mbyllur më tutje është vetëm kapitulli i ankimimeve. Edhe kjo etapë pritet të kalohet brenda javës së ardhshme për të afruar drejt fundit Kodin e ri Zgjedhor. Pasi çdo gjë të ketë kaluar në komision, do mund të shkohet drejt votimit në Parlament, pavarësisht kontestimit të partive të vogla. Të shtatë anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve do të zgjidhen vetëm nga Parlamenti. Në këtë formë, dalin jashtë loje Presidenti dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë, që nuk do ta kenë këtë të drejtë. Mandati i KQZ ulet nga 7 në 4 vjet, në mënyrë që të përkojë gjithmonë me mandatin e Parlamentit, duke garantuar kështu balancën politike në KQZ. Kryetari i KQZ-së zgjidhet në Parlament me një procedurë veçmas nga anëtarët e tjerë dhe do t‘i përkasë mazhorancës. Nënkryetari zgjidhet në KQZ dhe do t‘i përkasë opozitës. Dy grupet e mëdha parlamentare, në këtë rast, PD-ja dhe PS-ja, do të kenë të sanksionuar në kod të drejtën për të pasur nga dy anëtarë të propozuar direkt prej tyre. Dy anëtarë të tjerë do të propozohen nga deputetët e grupeve të tjera parlamentare, përkatësisht, njëri nga pala e opozitës, tjetri nga ajo e mazhorancës. Në këtë formë nuk hiqet e drejta e propozimit të anëtarit të KQZ-së edhe nga Lëvizja Socialiste për Integrim, por që ai të zgjidhet duhet të ketë mbështetje të konsiderueshme nga të paktën njëra prej partive të mëdha, PS ose PD. Në këtë formë, ka shumë gjasa që anëtarët e ardhshëm t‘i ketë dy PS, dy PD, një me shumicë të cilësuar në Parlament dhe dy tjerë nga partitë e vogla. Një tjetër ide është ajo e zgjedhjes së këtyre dy anëtarëve të partive të vogla përmes procedurës së shortit dhe jo me votim. Sipas skemës së parë nga e majta ka gjasa që kjo e drejtë t‘i takojë socialdemokratëve që kanë afrimitet me socialistët. Teksa në kampin tjetër do ta përfitojnë më thjeshtë këtë mundësi republikanët në aleancë me demokratët. Me logjikën e skemës së dytë ndarja e anëtarëve të KQZ-së që ju takon partive të vogla majtas e djathtas do të ishte më e paanshme. Sa u takon komisioneve zonale zgjedhore, do të ndiqet praktika e reduktimit të numrit të anëtarëve. Mësohet se maksimumi në këto organizma do të ketë shtatë anëtarë dhe përfaqësimi do të jetë pothuajse i njëjtë me atë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Aktualisht në komisionet vendore ka 13 anëtarë të partive të ndryshme, ku përfshihen të gjitha ato parlamentare.

Shtyrja

Komisioni, mandat deri më 14 nëntor

Në seancën e Kuvendit të ditës së enjte u votua me 81 vota pro, shtatë kundër dhe dy abstenime shtyrja e mandatit të komisionit parlamentar të reformës. Sipas asaj çka u ra dakord, zgjatja është deri më datën 14 nëntor dhe më tutje duhet të pritet një produkt final i ndryshimeve në Kodin Zgjedhor. Parimisht, partitë kanë premtuar se kjo datë do të respektohet. Kundër shtyrjes së punës së komisionit, votuan deputetët e Lëvizjes Socialiste për Integrim, ashtu sikurse Neritan Ceka dhe Petro Koçi. Në grupin e votave abstenuese ishin kreu i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, dhe deputeti socialist, Luan Memushi.

Vendimi

Kryesia e LSI, bllokim Kuvendi dhe protesta

Lëvizja Socialiste për Integrim mblodhi mbrëmë në orët e vona të darkës Kryesinë e partisë. Situata e fundit politike dhe konkretisht çështja e reformës zgjedhore ishte tema kryesore e bisedimeve. Drejtuesit e partisë së dytë në të majtë analizuan gjithë ecurinë e negociatave mes dy partive të mëdha për Kodin Zgjedhor. Burimet nga takimi sqaruan për gazetën se është rënë dakord të intensifikohen qëndrimet politike në raport me këtë çështje. Konkretisht Lëvizja Socialiste për Integrim denoncon fuqimisht paktet mes socialistëve dhe demokratëve. LSI ndalet më tej tek çështja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe komisioneve vendore. Sipas tyre tanimë është e qartë përpjekja e PS dhe PD për të hequr përfaqësuesin e LSI-së në këto komisione të administrimit të zgjedhjeve. Dy ditë më parë, bashkëkryetari socialist i Komisionit Parlamentar të Reformës Zgjedhore Fatmir Xhafa e cilësoi qesharak një pretendim të tillë të LSI-së duke mos preferuar ta komentojë. Por burimet nga mbledhja e Kryesisë sqaruan se është rënë dakord të fillohet me protesta qytetare në sheshe, mbase duke filluar që nga java e ardhshme. Një tjetër kërcënim është ai me bllokimin e parlamentit duke mos lejuar në asnjë mënyrë kalimin e Kodit të ri Zgjedhor. Në vijimësi Lëvizja Socialiste për Integrim është deklaruar për rritjen e transparencës sa i takon Kodit Zgjedhor dhe asaj çka po negociohet midis ekspertëve të dy partive të mëdha. Funksionarët e LSI-së akuzuan Partinë Socialiste se po pranonte ndryshimin e ligjit për prokurorinë duke e shkëmbyer me heqjen e anëtarëve të LSI-së në komisionet e zgjedhjeve. Në këtë qëndrim publik, LSI kujtoi se e njëjta skemë është aplikuar edhe në rastin e votimit të sistemit të ri zgjedhor në proporcional rajonal. Në atë kohë, pretendon partia e drejtuar nga ish-kryeministri Ilir Meta, u këmbye sistemi zgjedhor me rritjen e pushtetit të kryeministrit Sali Berisha. Duke ju referuar kështu ndryshimit të neneve 104 dhe 105 të Kushtetutës së Shqipërisë për rastin e mocionit të besimit dhe mosbesimit për kryeministrin. Mbetet për tu parë se cili do të jetë reagimi i dy partive të mëdha përballë këtyre qëndrimeve të Lëvizjes Socialiste për Integrim.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›