E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reforma Zgjedhore, LSI kundër PD-PS: Nuk po ndreqin gabimet

TIRANË- Lëvizja Socialiste për Integrim ka shprehur shqetësim për ritmet me të cilat është duke ecur reforma zgjedhore, duke pranuar se puna për të nuk po reflekton seriozitetin e duhur. Në një konferencë për shtyp, sekretari i përgjithshëm i LSI-së Luan Rama theksoi se të dyja partitë kanë përgjegjësinë që të korrigjojnë gabimet e se shkuarës, por që nuk po e bëjnë një gjë të tillë.

“LSI-ja shpreh shqetësimin që reforma zgjedhore nuk po ecën me ritmet që kërkon serioziteti i këtij procesi dhe tërheq vëmendjen që procesi i mbyllur i reformës zgjedhore nuk po reflekton përgjegjshmëri dhe seriozitet për të reflektuar rekomandimet e OSBE/ODIHR-it që në parimin janë pranuar nga të gjitha palët por kur duhet të bëhen reflektime këtu procesi çalon. Dy partitë që kanë monopolin e deformimit të sistemit dhe kanë përgjegjësi për atë që kanë bërë nuk kanë vullnet për të ndrequr gabimin” ka theksuar Luan Rama.

LSI-ja insiston gjithashtu që palët të ngrihen mbi interesat partiake dhe ta vendosin gjithë procesin e reformave në ritmin që kërkon garantimi i barazisë së votës, prandaj Rama propozon më tej, të ndërhyhet në ndarjen e zonave zgjedhore.

“Lëvizja Socialiste për Integrim e sheh të domosdoshëm, madje insiston, që palët të ngrihen mbi interesat partiake dhe ta vendosin të gjithë procesin e reformës në seriozitetin dhe në ritmin që kërkon garantimi i një procesi zgjedhor që në thelbin e vet të garantojë barazinë e votës. Ka shumë komente dhe madje po bëhet një diskutim i gjërë në lidhje me sistemin zgjedhor. Natyrisht që në kushtet kur është më e vështirë të preket Kushtetuta, mendojmë dhe propozojmë që mund të preket ose mund të ndërhyhet në ndarjen e zonave zgjedhore”, thuhet më tej në deklaratë.

Sipas tij, korrektimi kombëtar mund të jetë një mundësi, për garantimin e barazisë së votës, "por ai nuk mund dhe nuk duhet përdorur për ta degraduar më tej sistemin dhe për të faktorizuar në mënyrë artificiale subjekte që që nuk votohen", nënvizoi sekretari i përgjithshëm i LSI-së.

Rama ka theksuar më tej se. reforma zgjedhore nuk është një çështje partish apo çështje mbipartiake, por shpreh thelbin e zgjedhjeve. “PD-ja dhe PS-ja duhet ta lidhin ngushtë reformën zgjedhore me interesat europiane të vendit dhe detyrimin për të pëmbushur kushtet që Shqipëria të fitoj statusin e vendit kandidat.
(ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›