Spahiu në SHBA: AK në zgjedhje si lëvizje politike
Kreshnik Spahiu, lideri i Aleancës KuqeZi ka zgjedhur SHBA-në dhe ditën e pavarësisë së Kosovës për të shpallur nisjen e transformimit të Aleancës në një parti politike. Në një interviste për Zërin e Amerikës, Spahiu ka njoftuar se AK do të hyjë në zgjedhje si parti politike e vetme dhe do të ketë platformën e saj qeverisëse. Ai sqaroi se AK nuk do të hyjë në koalicion as me partinë Demokratike as me Partinë Socialiste. Nga ana tjetër Spahiu ka shpjeguar se nacionalizmi që mbështet AK nuk do të jetë kurrë faktor destabiliteti në Shqipëri dhe rajon, por një shembull demokracie.
VOA: Zoti Spahiu, pikësëpari perse ishte e nevojshme kjo vizitë në Shtetet e Bashkuara?
Kreshnik Spahiu: Besoj që është në kohën dhe vendin e duhur, është shumë e rëndësishme që në një ditë kaq të rëndësishme për Shqipërinë dhe Kosovën, në një ditë me dinamika të shumta në politikën shqiptare, vizioni, doktrina dhe filozofia e Aleancës KuqeZi, ndoshta e lëvizjes më të madhe popullore që është njohur në dekadat e fundit, të mundet të vendosi urat e bashkëpunimit dhe prezantimit të vizionit të saj në radhë të parë në SHBA si shenjë mirënjohje ndaj këtij avokati të madh të çështjes shqiptare. Ky do të jetë vazhdim i forcimit të bashkëpunimit me diplomacinë amerikane.
VOA: Sipas një zyrtari amerikan, më lejoni ta citoj: ndërsa është mbështetur pjesëmarrja juaj në skenën politike shqiptare për çështje si ajo e korrupsionit janë ngritur shqetësime kur kalohen kufijtë…
Kreshnik Spahiu: Ne jemi përpjekur gjithë këto ditë qoftë në Departamentin Amerikan të Shtetit, Komisionin e Helsinkit dhe Kongres të mundemi të sqarojmë pozicionin e AK në lidhje me të ardhmen e kësaj lëvizje, e cila shikohet si një shpresë për ta shndërruar shtetin privat shqiptar në një shtet ligjor. Ajo që i ka ndarë shqiptarët është krimi, korrupsioni, krimi i organizuar, është pastrimi i parave dhe mos ndërtimi i një shteti juridik. Ne ndajmë të njëjtat shqetësime me zërat nacionaliste që janë për ndarjen e kufijve. Jemi shprehur hapur që jemi kundër ndarjes së Kosovës. Jo më larg se dje patëm një qëndrim kundër referendumit në veri të Kosovës.
VOA: Këtu bëhet fjalë për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë?
Kjo është një maratonë, nuk është një sprint. Ky është një proces që duhet të lidhet me interesat e shqiptarëve, por edhe ato amerikane në rajon. AK dhe platforma e saj do të jenë gjithmonë brenda axhendës USA dhe projektit amerikan për Kosovën dhe rajonin. Është e qartë që ky do të jetë një projekt konstruktiv, sepse të gjithë elementët që do dëmtojnë interesat shqiptare apo amerikane në rajon, janë ekzistenca e shqiptarëve në shtete të dobëta që janë vulnerable ndaj krimit, korrupsionit etj. Në këtë kuadër ne kemi ndarë të njëjtat shqetësime duke dhënë të gjitha garancitë që AK si një frymë patriotike në Shqipëri, jo vetëm që nuk do të lejohet të jetë shqetësuese, por do të jetë lëvizja që do të garantojë paqen, stabilitetin, demokracinë jo vetëm në rajon, por themelet e demokracisë në shtetet shqiptare.
VOA: Ju jeni shumë optimist për partinë tuaj nëse mund ta quajmë kështu, ndërkohë është dëshmi dhe vitet e tranzicionit e kanë treguar që jeta politike në Shqipëri është e mbërthyer nga dy forcat kryesore politike dhe është provuar që partitë që kanë lindur janë kthyer shtojca të këtyre partive.
Kreshnik Spahiu: Kam kënaqësinë të ndaj sot fillimin e aksionit politik për ta parë AK si alternativën më të mirë të qeverisjes në Shqipëri. AK nuk do të hyjë në koalicion as me partinë Demokratike as me Partinë Socialiste. Ne vlerësojmë që PD është ana tjetër e PS. Janë dy parti të majta. PD është një parti tërësisht bolshevike që në mënyrë autoritare po drejton vendin. Ne kemi një platformë të qartë për limitimin e mandateve të lidershipit politik në Shqipëri. Ka ardhur koha që elitat politike nuk duhet të ndërrojnë vendet, por ne duhet të pastrojmë ujin e ndenjur të politikës shqiptare, dhe duhet ti largojmë ata nga elita politike. Këta kanë mbushur më shumë se dy mandate, dhe ne kemi një rregull baze mbi parimet demokratike. Në qoftë se SHBA do të kishte ato standarde që ka Shqipëria, sot Bushi i madh do të ishte ende Presidenti i SHBA. Ne duhet të vendosim standarde për të pastruar politikën shqiptare nga lidershipi bolshevik. Ka ardhur koha që partitë politike, kryeministrat, presidentët, kryetarët e parlamentit, bashkive dhe komunave të mos kenë më shumë se dy mandate. Dhe ky është i vetmi kusht që ne do të kemi në të ardhmen. Ne jemi të sigurt që AK është aleancë rinore dhe vjen si një shpresë në 100 vjetorin e pavarësisë për të hapur një kapitull të ri, 100 vjet pritje, 100 vjet zhgënjime, 100 vjet frustrime të popullit shqiptar, dhe lidershipi otoman bolshevik në Shqipëri ka paralizuar dhe nuk ka lejuar projektin europian të shqiptarëve. Ka ardhur koha që ti themi dil nga politika.
VOA: Korrupsioni në sistemin e drejtësisë në Shqipëri është cilësuar si më i korruptuari
Kreshnik Spahiu: Sepse me dy fjali: Ne kemi një shtet të kapur. Atje ku sistemi politik është thellësisht i korruptuar, ai korrupton të gjithë sistemin. Dhe nën mentalitetin bolshevik të partisë shtet, socialiste dhe demokrate në 20 vjet e kanë mbajtur sistemin nën kontroll politik. Ne kemi një sistem drejtësie totalisht të kontrollueshëm nga politika, kemi një sistem gjyqësor tek i cili karriera varet nga sistemi politik. Nëse tregon integritet dhe dënon një politikan, ministër apo deputet të cilët për 20 vjet janë bërë të paprekshëm, karriera në drejtësi merr fund. Shikoni se çfarë ndodh. Në 20 vjet nuk kemi një politikan të dënuar, sepse kemi një sistem tërësisht të kontrolluar, dhe një nga alternativat e AK është një reformë radikale në sistemin e drejtësisë duke i dhënë mundësi popullit të zgjedhë gjyqtarët e lartë ashtu sikundër zgjedhin politikanët me votim dhe nëpërmjet futjes së sistemit të jurisë, populli duhet të marrë pjesë në dhënien e drejtësisë dhe e vetmja mënyrë është futja e sistemit amerikan të dhënies së drejtësisë, përndryshe ne do të kemi jetë e mot një sistem të kontrollueshëm politik në Shqipëri. Një sistem drejtësie që nuk garanton barazinë e qytetarëve përpara ligjit. Në Shqipëri kemi dy kategori: kategoria e qytetarëve të dorës së parë që kanë imunitet, ministra, deputetë dhe kryeministra, dhe qytetarë të dorës së dytë janë ata që për një celular apo laptop dënohen dhe arrestohen. Politikanët mund të bëjnë gjithçka dhe nuk i hyn asgjë në këmbë sepse kemi një sistem tërësisht të kontrolluar nga politika.