Një gazetare si Zonjë e Parë e Francës? Jo ide e mirë
Valerie Trierweiler është Zonja e Parë apo gazetarja e parë e Francës? Pyetja thekson qëndrimin e pasigurt në të cilin është vetëvendosur partnerja e Presidentit francez. Trierweiler, e cila është reportere politike e “Paris Match” prej 22 vitesh, sapo ka njoftuar se vendosmërisht mendon që të mbetet punonjëse e revistës së përjavshme, me një rrugë mujore por jo me zyre pune. Në vend të mbulimit të politikës ajo do të mbulojë kulturën dhe artin, duke shkruar kritikë arti dhe duke intervistuar artistë. Por, ende nuk ka sqaruar nëse artikujt e saj do t’i shkruajë nga zyra në Pallatin Elize, apo nëse skuadra e saj prej katër këshilltarësh do të shqyrtojë materialet e saj dhe të bëjë takimet për të. Sigurisht është e vështirë të mos kesh simpati për të. Gjithçka që ajo kërkon është të vazhdojë të punojë - një kërkesë shumë e arsyeshme. Ajo thotë se nuk dëshiron të varet financiarisht nga partneri i saj apo nga taksapaguesit, dhe që ka tre djem adoleshentë nga dy martesat e mëparshme për të cilët duhet të sigurojë të ardhura. Në një intervistë të fundit, me të cilën nuk habiti ndonjë syresh, ajo tha se për të nuk kishte asnjë problem që të përfaqësonte Francën sa herë që ishte e nevojshme, “duke u veshur mirë”, “duke buzëqeshur” dhe “duke puthur fëmijët e sëmurë”, por që nuk ishte stili i saj që të bënte Nënë Terezën 24 orë në ditë. Pas së gjithash, çdo grua me karrierën e saj dhe me ambicie do të ishte ngurruese që të luante rolin tradicional të Zonjës së Parë. Historia politike e kohëve të fundit ka sjellë personalitete të forta dhe gra karriere përkrah Presidentëve apo kryeministrave: si të tilla të vijnë menjëherë në mendje Hillari Klinton dhe Cherie Blair. Por, që të dyja ishin avokate, çka u jepte mundësinë të vendosnin mënjanë ndonjë dosje me konflikt potencial interesi. Problem kryesor i Trierweilerit është të qenit gazetare në Francë, ku gazetarët herë pas here akuzohen si shumë të afërt me politikanët. Si e tillë, këmbëngulja apo vazhdimi i një aktiviteti të si ky është një gabim politik. Gazetaria franceze për nga tradita është më e kokëforte në mendimet e saj se ajo britanike. Ne (gazetaria britanike) zakonisht favorizojmë pikëpamjet e forta dhe të mirëartikuluara më tepër se kontrollin e fakteve dhe investigimin neutral. Çdo gazetar francez në thelb është një pamfletist. Një paragjykim i tillë i hapur është mbase më pak hipokrit se në Britani; pas së gjithash, më e mira që mund të bëjmë është të përpiqemi të jemi të drejtë, në vend që të pretendojmë se gazetarët janë të paanshëm. Ajo që mbetet, është se në Francë, politika dhe gazetaria ndeshin brirët shumë shpesh me njëra-tjetrën. Sikundër Beatrice Vallaeys shkroi në “Libération” këtë fundjavë, Trierweiler nuk është “normale”, dhe siç thekson “the New York Times”, zgjedhja e saj po nxit nervozizëm të vërtetë. Unë do të shtoja se ajo po dëmton Presidentin Hollande dhe vetë Francën. Kalimi nga raportimi politik në raportimin kulturor nuk e bën vendimin e saj më të pëlqyeshëm: në Francë, kultura dhe arti janë po aq politike sa qeveria dhe feja. Duke marrë parasysh subvencionet e mëdha publike të artit të Francë, shqyrtimet e Trierweilerit mund të vënë qartësisht në siklet ministrin e Kulturës, i cili në mënyrë që të kënaqë Presidentin, mund të mendojë të ndihmojë një artist mbi një tjetër. Pikëpamjet e Trierweilerit, të publikuara në versionin e printuar të “Paris Match”, pa më të voglin dyshim do të bëhen urdhërues, qoftë edhe në mënyrë informale. Po ç’zgjidhje mund të bëjë partnerja e Hollandes? Ajo mund të bëjë një pushim 5-vjeçar dhe të shkruajë fiction me pseudonim. Me shumë mundësi në Francë ekziston një publikues i gatshëm të nënshkruajë me të një marrëveshje për tri libra.
...