E Diel, 1 Nëntor 2026

Përdoruesit e internetit në Shqipëri dhe roli i bankave

Autori i Lajmit: red.
Drejtori i Programit të Konferencës CEMEA, “Economist Grup”, Riçard Eames, i është drejtuar drejtorit Ekzekutiv të Raiffeisen Bank, Oliver Vhittle, duke e pyetur se a shikon një rol më ambicioz të Bankës dhe sektorit bankar për ta çuar Shqipërinë më afër epokës së dixhitalizimit? Cili do të ishte roli i bankave në këtë aspekt? Vhittle ka shpjeguar se “jam çuditur sot kur kam parë se në Shqipëri vetëm 15% e popullsisë ka akses në internet, një shifër shumë e ulët me vendet e tjera dhe duhet të rritet. Çfarë mund të bëhet për të inkurajuar popullsinë në përdorimin e internetit? Së pari, duhet të fillojë nga shkollat dhe mendoj se kjo duhet të jetë ambicie për Qeverinë. Disa nga bankat në Shqipëri kanë futur shërbimin e internetit, ku ofrohet përpunimi elektronik i pagave etj. Por zoti Kryeministër, ne mund dhe duhet të bëjmë diçka më tepër, duke bashkëpunuar me qeverinë”, - përfundoi ai. Kryeministri Berisha nga ana e tij ka shpjeguar se “në mars të vitit që vjen (2009), interneti do të futet në të gjitha shkollat e Shqipërisë dhe ne po veprojmë në disa aspekte për këtë çështje. Po përpiqemi ta bëjmë këtë, që të kemi një tregues sa më të lartë për teknologjinë e informacionit. Por Shqipëria është shumë larg nga mesatarja evropiane, që është 42% përdorues, ne do të vazhdojmë të ecim në këtë proces.

Drejtori Ekzekutiv i Raiffeisen Bank: “Bujqësia çalon në Shqipëri”

Drejtori Ekzekutiv i Raiffeisen Bank, si dhe drejtuesi i Forumit të Biznesmenëve të huaj në Shqipëri, Oliver Vhittle, ka nënvizuar se “shifrat zyrtare tregojnë se niveli i inflacionit në Shqipëri është i ulët dhe kjo është inkurajuese për biznesin në vend. Sektori bankar është shumë i shëndetshëm, ky seksion ka pësuar një rritje në depozita dhe ka pasur një konkurrencë të ndershme midis bankave. Fusha ku unë do të desha të përqendrohesha është bujqësia, mendoj se kjo është një mundësi e fshehur për Shqipërinë. Shqipëria, tradicionalisht, ka qenë një vend bujqësor, por në fakt ky sektor ka pësuar rënie vitet e fundit. Potenciali ekziston për të bërë investime në këtë fushë dhe fushat e tjera për të bërë biznes janë si ai i prodhimeve të këpucëve, veshmbathja, etj. fusha të tjera, të cilat kanë nevojë për zgjerim janë: mineralet, industria e naftës dhe ajo e përpunimit të materialeve të ndërtimit. Shpejtësia e ndryshimeve në Shqipëri është e jashtëzakonshme, dhe kjo duhet të inkurajohet edhe më tej.

Piramidat

“Të mbrojmë tregun nga lakmia njerëzore”

Në tryezën e “The Economist”, Kreu i Ekzekutivit ka folur edhe për risqet që mund të ketë Shqipëria ndaj krizës ekonomike dhe bankare të ditëve të fundit që ka përfshirë mbarë botën. Berisha ka ilustruar këtë krizë dhe mospërfshirjen e Shqipërisë në të me periudhën e “piramidave” në vend në vitin 1997, duke thënë se “Ne jemi një vend që vuajti nga sistemi mashtrues i piramidave. Në atë kohë unë isha President i vendit dhe ne kishim një vakuum total mjetesh për t i bllokuar ato. Unë pashë me kujdes nëse ndonjë agjenci publike ishte e përfshirë në këto skema, ashtu siç ka ndodhur në disa vende të botës, por ky nuk ishte rasti i Shqipërisë. Vendi përjetoi një eksperiencë shumë të hidhur. Ishte jonjerëzore dhe për këtë rast kërkoj falje. Por në rastin e krizës financiare aktuale unë kam besim se komuniteti ndërkombëtar do të vazhdojë drejt zgjidhjes. Ne arrijmë në një konkluzion shumë të mirë, i cili është përfundimtar dhe ka të bëjë me vendosmërinë për të mbrojtur tregun nga lakmia njerëzore”.

Ky lajm është publikuar: 29/10/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›