E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasja e atletit, arrestohet i dyshuari

Policia e Tiranës prangos Avni G. I janë gjetur disa fishekë

Policia e Tiranës ka arrestuar një person të dyshuar në lidhje me vrasjen e trajnerit të atletikës Hasan Rakipi, i cili u ekzekutua me armë mbrëmjen e së shtunës në Kamzë. Zyrtarë të policisë thanë se i arrestuari është shtetasi Avni G., 54 vjeç. Burime nga policia thanë se gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e 54-vjeçarit janë gjetur disa fishekë, që kanë rritur dyshimet se ai mund të jetë vrasësi i Hasan Rakipit. Megjithatë, ende nuk është ngritur një akuzë nga policia, ndërsa i dyshuari po mbahet në izolim, deri në plotësimin e dosjes me prova materiale. Gjatë natës së të shtunës, duke u gdhirë dita e diel, policia ka shoqëruar disa persona që kanë pasur dijeni për ngjarjen, kryesisht dëshmitarë okularë që ndodheshin në vendin e krimit.
Nga marrja e tyre në pyetje ka rezultuar se trajneri Hasan Rakipi kishte dalë nga një lokal në afërsi të fushës së sportit në Kamzë dhe më pas ishte drejtuar tek automjeti i tij. Sapo ka hyrë në makinën e tij, një automjet i dytë është afruar te makina e viktimës, ka ulur xhamin dhe ka qëlluar disa herë siç dyshohet me një pistoletë në drejtim të 56-vjeçarit, i cili ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Policia tha se po heton pistën e konflikteve për shkak të detyrës, si motiv të ngjarjes.
Atleti Hasan Rakipi është vrarë të shtunën rreth orës 18.00 pranë fushave të sportit në Kamzë, në periferi të Tiranës. 56-vjeçari është qëlluar me armë zjarri pistoletë, ndërsa ndodhej brenda automjetit të tij. Sipas dëshmitarëve okularë, viktima ndodhej në automjetin me targa të kryeqytetit 6534N, kur disa persona e qëlluan për vdekje. Ish-atleti vazhdonte të merrej me sport dhe së fundmi kishte organizuar edhe një maratonë. Policia, pas ngjarjes, ka ngritur postblloqe për të bërë të mundur kapjen e autorëve, si edhe ka marrë në pyetje familjarët e viktimës, për të mësuar nëse ai kishte konflikte. Megjithatë, mesditën e djeshme organi i policisë deklaroi se ka ndaluar një person të dyshuar. Oficerët e policisë gjyqësore kanë realizuar të tjera veprime, ndërsa personat kyç për zbardhjen e vrasjes janë familjarët. Ata janë pyetur dhe kanë treguar disa detaje për ngjarjen, por pa mundur të japin një emër konkret.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›