Policia, krijohen 3 drejtori dhe 19 sektorë

Struktura e re e policisë nuk ka prekur vetëm rendin dhe qarkullimin rrugor, por pothuajse të gjitha departamentet në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, duke sjellë edhe lëvizje të oficerëve të lartë, që ende nuk janë konfirmuar zyrtarisht. Ndryshimet më të rëndësishme janë krijimi i tre drejtorive dhe disa sektorëve. Gjatë këtyre ndryshimeve, veç krijimit të drejtorive, janë krijuar edhe 19 sektorë të rinj, ku pjesa dërmuese nuk kanë qenë më parë në polici, ndërsa disa të tjerëve u janë ndryshuar emërtimet.
Hetimi i krimeveSipas të dhënave policore, struktura e re nis me ndryshimet që nga Departamenti i Hetimit të Krimeve, që tashmë do të njihet si Departamenti Kundër Krimeve të Rënda dhe të Organizuar. Në këtë departament, zv/drejtorit të përgjithshëm të policisë i hiqet nga varësia direkt Zyra për Përgjimin e Telekomunikimeve Informative, e cila kalon në varësi të një drejtorie të re. Duke vazhduar më tej, në Drejtorinë Kundër Krimeve të Rënda hiqen tre sektorë. Burimet shpjegojnë se ato janë Sektori i Mbrojtjes së të Miturve dhe Dhunës në Familje, Sektori i Mbështetjes Tekniko-Shkencore e Mbikëqyrjes dhe Reparti i Vëzhgimit.
Por, në departamentin e krimeve është shtuar Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, duke e çuar në shtatë numrin e drejtorive në këtë departament. Forca e Posaçme Operacionale ka në varësi katër sektorë, që janë Sektori i Forcës së Posaçme, Sektori për Menaxhimin e Punonjësve në Mbulim, Sektori për Mbështetjen Tekniko-Shkencore e Mbikëqyrjen dhe Zyra për Përgjimin e Telekomunikimeve Informative.
Po në Departamentin Kundër Krimeve të Rënda dhe të Organizuar, Drejtoria Kundër Krimit të Organizuar bëhet Drejtoria Kundër Narkotikëve dhe Trafiqeve. Nga kjo drejtori vareshin tre sektorë të fuqishëm, që ishin Sektori Kundër Narkotikëve, Sektori Kundër Trafikut të Paligjshëm dhe Forca e Posaçme. Por, kjo e fundit është shkëputur duke u krijuar drejtori, siç cilësohet edhe më lart. Megjithatë, në Drejtorinë Kundër Narkotikëve dhe Trafiqeve është shtuar Sektori për Hetimin e Aseteve Kriminale. Ndërkaq, ndryshim ka pasur edhe Instituti i Policisë Shkencore, që tashmë kthehet në Drejtorinë e Policisë Shkencore.
Nga Drejtoria e Analizës së Informacionit Kriminal janë hequr katër sektorë dhe është shtuar një i ri. Tashmë, me strukturën e re, kjo drejtori nuk do të ketë në varësi Zyrën Qendrore Kombëtare INTERPOL, Sektorin e Oficerëve Ndërlidhës, Zyrën e EUROPOL dhe Sektorin e Qendrës Antitrafik në Vlorë, që është shkrirë. Por, kësaj drejtorie i është shtuar Sektori i Cilësisë së Informacionit dhe Auditimit Memex. Ky sektor ka të bëjë me grumbullimin e informacionit kriminal.
Siguria publikeDepartamenti për Sigurinë Publike ka pësuar një sërë ndryshimesh, ku është shtuar një drejtori i re dhe që merr përsipër shumë kompetenca që kishte hetimi i krimeve. Drejtoria e Rendit Publik dhe Shërbimi Patrullë e Përgjithshme, me strukturën e re do të quhen Drejtoria e Sigurisë Publike. Nga kjo drejtori hiqet Sektori i për Parandalimin e Krimit dhe Policimi në Komunitet, pasi bëhet drejtori. Kështu në Departamentin e Sigurisë Publike është shtuar Drejtoria për Hetimin dhe Parandalimin e Krimeve. Ajo do ketë dy sektorë, Sektori për Hetimin dhe Parandalimin e Krimit dhe Sektori i Mbrojtjes së të Miturve dhe Dhunës në Familje.
Ndërsa te Drejtoria e Policisë Rrugore janë shtuar dy sektorë, Sektori i Edukimit, Verifikimit dhe Parandalimit të Aksidenteve dhe Sektori i Shërbimeve Mbështetëse. Kurse Njësia Teknike Operacionale në këtë drejtori tashmë do të cilësohet si Njësia për Kontrollin e Autostradave. Gjithashtu, në këtë drejtori janë shtuar 12 Njësitë Rajonale të Policisë Rrugore, nga një në secilin qark.
Drejtori i PërgjithshëmPor kompetencat janë shtuar edhe për drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Kështu, në varësi të tij është krijuar Drejtoria e Bashkëpunimit dhe Koordinimit Ndërkombëtar. Në këtë drejtori janë katër sektorë që i hiqen Departamentit të Krimeve. Sipas të dhënave, ato janë Zyra Qendrore Kombëtare INTERPOL, Sektori i Bashkëpunimit Ndërkombëtar, Sektori i Oficerëve Ndërlidhës dhe Zyra e EUROPOL. Ndërsa nga Drejtoria e Standardeve Profesionale hiqen dy sektorë, të cilët janë Sektori i Koordinimit të Projekteve dhe Sektori i Bashkëpunimit Ndërkombëtar Teknik-Policor.
Shërbimet mbështetëseEdhe Departamenti i Shërbimeve Mbështetëse ka pësuar ndryshime, por më pak se rendi dhe krimet. Në të janë shtuar dy sektorë të rinj, që janë në varësi të zëvendësdrejtorit të përgjithshëm. Sipas të dhënave, sektorët e rinj janë Sektori i Koordinimit të Projekteve, që është hequr nga Drejtoria e Standardeve Profesionale në varësi të drejtorit të përgjithshëm dhe Sektori i Profilaksi Mjekimit, që është hequr nga Drejtoria e Personelit. Ndërsa te Drejtoria e Teknologjisë së Informacionit shtohen gjashtë sektorë, por thuajse të 11 sektorët janë të rinj. Kësaj drejtorie i është dhënë përparësi. Kështu, në këtë drejtori do të jenë Sektori i Infrastrukturës Elektrike dhe T.I., Sektori i Trajnimit, Sektori Helpdesk, Shërbimeve të T. I. në Organe dhe Reparte, Sektori i Antenave, Radio dhe Radarë, Sektori i Kamerave, Telefonisë, Aksesit, Sektori i Rrjetit, Sektori i Serverëve, Sektori i Bazës së të Dhënave, Sektori i Sigurisë, Sektori i Projekteve, Programimit dhe Zhvillimit dhe Sektori i Mbështetjes të T.I. Ndryshime strukturore, policia ka edhe në drejtoritë e qarqeve, ashtu siç është deklaruar edhe më parë, ku ditët e fundit ka pasur një sërë lëvizjesh dhe priten ndryshime të reja.
#