E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA: Rruga Durrës-Kukës, modeli i rajonit



Projekti i rrugës Durrës-Kukës vlerësohet nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke e cilësuar këtë projekt si model në rajon. Gjatë seancës dëgjimore në Komisionin Amerikan të Helsinkit, ku u diskutua situata e fundit në Shqipëri, kongresmenët amerikanë, autostradën Durrës-Kukës-Prishtinë, e konsideruan një projekt madhor me vlera për të gjithë rajonin. “Në krye të përpjekjeve tona diplomatike është e rëndësishme që ne të vazhdojmë të mbështesim projektet e infrastrukturës, të tilla si autostrada që nis nga bregdeti shqiptar drejt Kosovës”, - tha kongresmeni Robert Aderholt, i cili është edhe anëtar i Komisionit Amerikan të Helsinkit. Kongresmeni Aderholt tha më tej se projekte të tilla shërbejnë si shtylla për paqen e stabilitetin në rajon. “Të tilla projekte sjellin përfitime për të gjitha vendet në rajon dhe shërbejnë si shtylla në paqen dhe stabilitetin rajonal”, - tha Aderholt. Ai i ka kërkuar përfaqësuesit të DASH-it, zotit Stuart Jones, të dhëna për ecurinë e rrugës. Pasi e informoi kongresistin, Jones theksoi: “Unë jam dakord me ju kongresist; kjo është një vlerë e jashtëzakonshme për të gjithë rajonin në tërësi, sepse do të lehtësojë transportin, jo vetëm mes Shqipërisë dhe Kosovës, por për të gjitha vendet e rajonit”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›