E Diel, 1 Nëntor 2026

Sejdiu fton gazetarët të jenë korrektë gjatë fushatës

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ftoi sot mediat që të përcjellin në mënyrë korrekte fushatën zgjedhore, ndërkohë që ka ftuar edhe serbët e Kosovës që të jenë pjesë e procesit zgjedhor më 15 nëntor.

Duke kërkuar punë të mirë nga gazetarët, Sejdiu ka thënë se nuk duhet keqkuptuar kërkesa e tij, ngase nuk ka qëllim që të ndikojë në punën e tyre, që të bëhet kështu apo ashtu, por thjesht si një ofertë që mediat të jenë në valë të mira të punës, siç janë deri tani.

Besoj që do të gjeni mundësinë që të jeni në çdo skutë të Kosovës, në çdo skaj, që ta mbuloni mirë të gjitha zhvillimet, të gjitha ngjarjet për të pasur një kompletim të mozaikut të përgjithshëm të procesit të Kosovës. Pra se edhe mediat e kanë të veten edhe krijoni opinion, edhe qortoni opinion edhe i bëni në rrafshin e lirisë suaj, të komunikimit rreth asaj që ua garanton ligji pa kurrfarë ndrydhje, ka thënë Sejdiu, transmeton KosovaPress.

Këto komente presidenti Sejdiu i bëri gjatë një pritje për gazetarë, me çrast ka bashkëbiseduar me ta për shumë probleme dhe për punën e tij të përditshme, duke folur pa dorëza për shumë çështje.

Sipas tij, edhe mediat mund të luajnë një rol të rëndësishëm në nxitjen e serbëve të jenë pjesë e këtij procesi.

Unë mendoj se ju jeni po ashtu në rol të mirë që ti nxisni këta njerëz të jenë faktorë dhe akterë të rëndësishëm në proceset politike, pra edhe të procesit zgjedhor. Është mirë që në bazë të informacioneve që kemi iu është kthyer realitetit një pjesë e madhe. Kanë trysni të madhe, kanë presione të ndryshme, jo vetëm të telefonatave, por edhe të deklaratave të zyrtarëve, por edhe presione tjera që dinë ti bëjnë fatkeqësisht në qasje iracionale, bashkëkombësit e tyre, bashkëvendësit nuk do të thoja assesi dhe duhet ti kuptojmë atë pjesë, por çka është nga ana jonë, ti thërrasim, ti nxisim dhe të shohim edhe si institucione të vendit, por natyrisht pjesa juaj është në misionin që ju keni gjithmonë pa ndërhyrje, ka thënë Sejdiu.

Fushatën e deritashme zgjedhore, Sejdiu e ka vlerësuar si mjaft të mirë. Përgjithësisht ka qenë në rregull.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›