E Diel, 1 Nëntor 2026

Shipëria e Hanit e nis me dështim

Përfaqësuesja shqiptare humbi dje në ndeshjen miqësore kundër Polonisë me rezultatin minimal 1-0 dhe njëkohësisht Ari Han humbi derbin e tij me holandezin e polakëve, Leo Benhaker. 

Jetmir Halilaj

Rezultati i ndeshjes u fiksua që në minutën e tretë, ku kuqezinjtë pësuan një gol “alla shqiptarësh”, pas një marramendjeje në mbrojtje mes Dallkut e Currit, duke i dhënë mundësi kapitenit të kundërshtarëve, Zyravskit që ta dërgonte topin në rrjetë. Në minutat e para të ndeshjes ishin polakët ata që dominuan në lojë dhe treguan më tepër agresivitet para portës. Skuadra shqiptare, megjithëse mbrohej me forca të shumta, ishte krejt e paqartë, duke rrezikuar disa herë. Me kalimin e kohës, kuqezinjtë arritën të ekuilibronin ndeshjen, madje Cana ishte ai që dha sinjalin e parë, pas një gjuajtje potente nga distanca, por topi përfundoi mbi tranversë. Skela dhe Duro u përpoqën të nxirrnin ekipin përpara, por e kishin të vështirë, pasi kundërshtarët mbroheshin me forca të shumta. Në minutën e 20’ Guerreiro zbret mjaft mirë në kundërsulm dhe për pak sa nuk arrin që të ndëshkojë për herë të dytë Isli Hidin. Kuqezinjtë gjithsesi nuk tërhiqen, pavarësisht se loja e polakëve gjatë këtyre minutave ishte tepër e ashpër dhe ndërhyrjet ndaj Salihit dhe Duros ishin të rrezikshme. Pas minutës së tridhjetë skuadra shqiptare arriti të ekuilibronte gjithçka në lojë, por aksionet sulmuese të ideuara nga Duro e Skela nuk prodhuan asnjë gol, pasi koordinimi mes tyre dhe sulmit nuk ishte ai i duhuri. Në fund të pjesës së parë Polonia shënoi edhe golin e dytë, por me të drejtë iu anulua, pasi sulmuesi i tyre ishte në pozicion jashtë loje.
Pjesa e dytë
Trajneri Ari Han ka vendosur të bëjë menjëherë ndryshime, teksa në vend të Lilës, Duros dhe Bogdanit, aktivizon Vrapin, Hykën dhe Kapllanin. Shqipëria mori në dorë frenat e lojës, por skuadra e Benhakerit mbrohej mjaft mirë dhe shfaqej e rrezikshme me kundërsulme. Inkursionet e Hykës në krahun e majtë rezultuan problematike për kundërshtarët, por gjithsesi goli i barazimit nuk u realizua. Kapllani me lëvizshmërinë e tij arriti të krijonte shpesh herë hapësira, por pa mundur të gjente rrugën e rrjetës. Ndërkaq edhe Vangjeli i postuar në krah të djathtë u pa më aktiv në 45’ minutat e dyta. Gjatë kësaj ndeshjeje u vu re qartë se Ari Han ka ende shumë punë për të bërë, sidomos në repartin e mbrojtjes.

Shqipëri – Poloni 0-1

Gola: Zvraovski 3’
Shqipëria: Hidi, Lila (Vrapi 46’), Dallku, Curri, Vangjeli, Duro (Hyka 46’), Skela, Lala (Bulku 71’), Cana, Bogdani (Kapllani 46’), Salihi (Bylykbashi 80’)
Trajner: Ari Han
Polonia: Fabianski, Vasilevski, Bak, Zevlakov (Kokoszka 8’), Vavrzyniak, Lobodzinski (Saganovski 80’), Levandovski, Dudka, (Pazdan 81’), Guerreiro (Smolarek 46’), Krzynovek (Muravski 81’), Zyravski (Zahorski 61’).
Trajner: Leo Benhaker
Gjyqtar: Knut Kircher (Gjermani)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›