Reforma në drejtësi, viti 2005 ndryshime në Kodin Penal
02/03/2005 “Ndërsa viti i kaluar ishte viti i reformës në fushën penale, ky vit, sipas planit të paraqitur edhe nga Ministria e Drejtësisë, është viti i reformës në gjithë sistemin e drejtësisë”. Kështu i përkufizoi dje kryetari i komisionit të reformave, Halim Islami, synimet e paketës ligjore të paraqitur nga Ministria e Drejtësisë për vitin që tashmë ka filluar. Reforma në sistemin e drejtësisë, si paketë ligjore e kompletuar, do të ketë në synimin e vet rishikimin e ligjeve të rëndësishme si “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, “Për organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë”, një projektligj i ri për parandalimin dhe ndëshkimin e zvarritjeve në procesin gjyqsor. Një nga paketat e vlerësuara edhe nga 20 anëtarët e Komisionit të Reformës ligjore ka të bëjë edhe me Drejtësinë e të Miturve. Ministria e Drejtësisë e mbështetur edhe nga ky komision, ka vendosur që në funksion të këtij qëllimi të përfshijë shtesa dhe ndryshime në Kodin Penal, Kodin e Procedurës Penale, ligji për organizimin e pushtetit gjyqësor, për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë, ligjin për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim, hartimin e projektligjit për organizimin dhe funksionimin e Komitetit Shqiptar të Birësimit, miratimin e konventave dhe protokolleve që i shërbejnë këtij qëllimi. Anëtarët e KRL, vlerësuan edhe vendosjen në planin e këtij viti të disa paketave të tjera, që kanë të bëjnë me legjislacionin në fushën civile e tregtare, fushën penale, sistemin e ekzekutimit të vendimeve penale, sistemin e ekzekutimit të vendimeve civile.