E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrau bashkëshortin e fshehu kufomën, kërkohen 12 vjet burg për Pojanën

• TIRANE - “Mbrëmjen e 11 marsit 2007, Aishe Pojana ka përfituar nga fakti që bashkëshorti ka humbur vëmendjen për ta qëlluar disa herë me dru në kokë.Pak minuta pasi viktima ka dhënë shpirt e ndihmuar nga e bija 11 vjeçe, ajo e ka ngarkuar kufomën e burrit të vrarë në një gomar, me të cilin e ka transportuar rreth 200 metër nga banesa, derisa ka mbërritur në një përrua në kufi të arës së familjes. Aty, për gjithë natën kishte hapur një gropë brenda së cilës ka futur kufomën e viktimës Hasan Pojana, dhe pastaj është larguar për në banesë duke kaluar në heshtje ditët pas krimit, ndërsa nëpër fshat kishte hapur fjalë se bashkëshorti ishte larguar në drejtim të Peqinit te disa të afërm të tij dhe bashkë me ta do shkonte emigrant në Greqi”. Kjo është rrjedha e ngjarjeve sipas Prokurorisë së kryeqytetit, e cila hetoi ngjarjen e ndodhur në fshatin Baldushk pas arrestimit të Pojanës në maj të vitit të kaluar. Dje përfaqësuesi i Prokurorisë kërkoi dënimin me 12 vjet burg për Pojanën duke argumentuar si rrethanë lehtësuese vetëm pranimin e fajësisë në ngarkim të saj, ndërsa i komunikoi akuzën e vrasjes me dashje sipas nenit 76 të Kodit Penal. Ky nen parashikon dënimin nga 10 deri në 20 vjet burg. Vetë e pandehura dhe avokatja e saj mbrojtëse Vjollca Pustina do i paraqesin konkluzionet seancën e radhës e cila është caktuar të jetë në fillim të javës së ardhshme. Duke analizuar provat, Prokuroria pohoi se gjatë hetimit ishte vërtetuar se vrasjen e 65–vjeçarit Hasan Pojana e kishte kryer bashkëshortja e tij, e pandehura Aishe, ndërsa dijeni për krimin kishte vetëm vajza e tyre 11 vjeçare, e cila më pas kishte shoqëruar të ëmën, ndërsa varroste kufomën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›