Reforma shëndetësore, Obama feston "OK" e Senatit
Me 60 vota pro dhe 39 kundër, Senati i Shteteve të Bashkuara të Amerikës i hapur dritën jeshile debatit për reformën shëndetësore aq shumë të diskutuar dhe të dashur nga Presidenti Obama. Me një votim historik në Uashington, kreu i mazhorancës demokratike në Senat arriti të bëjë bashkë 60 votat e nevojshme për të çuar përpara vizionin e Presidentit amerikan për të reformuar tërësisht sistemin shëndetësor në vend. Pas muajve të tërë betejash të ashpra, mundësia për ta kaluar paketën finale brenda një kohe të shkurtër po bëhet gjithnjë e më konkrete. Opozita republikane nuk mund të bënte asgjë më shumë se sa të jepte 39 vota kundër, për shkak se e cilëson si një reformë shumë të kushtueshme dhe pa rrugëzgjidhje për vendin. Por, mbi të gjitha kjo është një fitore historike për Barak Obamën, që e ka mbështetur paketën e reformës si në Dhomën e Përfaqësuesve ashtu edhe në Senat. Disa demokratë që e mbështetën mocionin, kërkonin me çdo kusht ndryshime të mëdha në plan, në veçanti ndaj hipotezës së "Pulic Option", opsioni publik që duhet të konkurrojë me ofertat private të asistencës mjekësore. Paketa e Senatit synon të sigurojë mbulim mjekësor për 31 milionë dollarë amerikanë që sot nuk janë të siguruar me një bilanc që kap shifrën e 848 milionë dollarëve për dhjetë vjet. Debati mbi mocionin ka qenë "epik" dhe zgjati pothuajse një natë. Demokratët siguruan kështu 60 votat e nevojshme për të kapërcyer taktikat vonuese të republikanëve, që e kundërshtojnë reformën në gjendjen aktuale. Në përfundim të votimit, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Robert Gibbs deklaroi : "Vota historike na afron më shumë me vullnetin tonë për t‘i dhënë fund abuzimeve të shoqërive të sigurimit, për të shkurtuar kostot e kurave mjekësore, për të garantuar stabilitetin dhe sigurimin e mbulimit të sëmundjeve të atyre që janë tashmë të siguruar dhe t‘u ofrojmë një mbulim shëndetësor cilësor atyre që ende nuk e kanë një të tillë". Megjithatë, përpjekjet për miratimin e plotë të reformës mbeten ende të gjata. Fillimisht do të jetë e nevojshme unifikimi i përmbajtjeve të teksteve të reformës së miratuar në Dhomën e Përfaqësuesve dhe asaj të Senatit, që kanë disa diferenca të dukshme. Më kryesorja është se teksti i aprovuar nga Dhoma e Përfaqësuesve parashikon shpenzime për më shumë se 1 miliard dollarë dhe disa kufizime për mbulimin e abortit terapeutik. Ndërkaq, sipas dokumentit në Senat, kjo reformë do të kishte një kosto prej 848 miliardë dollarësh brenda vitit 2019, ku përfshihet edhe opsioni publik, d.m.th mundësia për shtetet e veçanta të vihen në konkurrencë me shoqëritë e sigurimeve. "Jam krejtësisht kundër këtij programi të kushtueshëm në një moment kur kreditorët tanë ndërkombëtarë, kinezët, po na japin leksione për debitin tonë". E teksa kjo pengesë e fundit, për të reformuar shërbimin shëndetësor në SHBA u kapërcye, ajo tregoi për ndarje domethënëse brenda Partisë Demokratike. Një grup demokratësh të moderuar e bënë të qartë në fjalimet që mbajtën para votimit, se ata nuk mund ta mbështesnin ligjin që përfshinte plane për siguracione të drejtuara nga qeveria. Kjo reformë synon të vërë në zbatim një sërë normash kufizuese për kompanitë e sigurimit, ndryshe nga ato që ofron sistemi aktual. Mes tyre përfshihen rregulla të reja, si për shembull detyrimi nga ana e punëdhënësve për sigurimin e të gjithë punëtorëve dhe pengesat nga shoqëritë e sigurimit që u mohojnë klientëve mbulimin shëndetësor. Kundërshtarët republikanë dhe demokratët konservatorë thonë se është një sistem shumë i shtrenjtë dhe i jep qeverisë shumë të drejta të ndërhyjë në shërbimin shëndetësor privat. Sipas republikanëve, projektligji do të rrisë koston e pagesave mujore të sigurimeve shëndetësore, do të ndërpresë shpenzimet e kujdesit shëndetësor për të moshuarit dhe do të dëmtonte bizneset e vogla, të cilat krijojnë më shumë vende të reja pune.