E Diel, 1 Nëntor 2026

Tatimet, 50 milionë dollarë gjoba karburanteve

Tatimet kanë nisur ditët e fundit një aksion të paprecedentë në tregun e karburanteve, i cili dyshohet për evazion fiskal. Në bazë të një urdhri të lëshuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Bizneseve VIP, për rillogaritjen e detyrimeve të kompanive të karburanteve që nga korriku i vitit të kaluar, tatimet kanë vendosur vetëm në dhjetë ditë mbi 50 milionë dollarë gjoba dhe detyrime shtesë për shoqëritë e tregtimit të karburanteve. Burime nga Drejtoria e Tatimeve thonë për "Top Channel" se shoqëritë e karburanteve kanë deklaruar çmime më të ulëta shitjeje nga ato realet, të cilat kanë dalë pas një investigimi të hollësishëm të tregut, që nga gjysma e dytë e vitit të kaluar.

Por tregtarët e karburanteve akuzojnë tatimet se po mbledhin taksat në mënyrë abuzive dhe me forcë, duke vendosur çmime reference, për të mbuluar mosrealizimet e tyre dhe për të përmirësuar gjendjen e financave të drobitura publike. Me gjoba janë ndëshkuar pothuajse të gjithë shoqëritë e tregtimit të karburanteve në vend, përfshirë edhe ato më të njohurat në treg. Madje disave prej tyre, tatimet u kanë bllokuar pa afat dhe disa pika me pakicë nën argumentin se nuk kanë plotësuar në kohë detyrimin ligjor, për t‘u pajisur me kasat fiskale, të cilat do të regjistrojnë elektronikisht çdo shitje që ato bëjnë. Tregu i karburanteve ka qenë gjithmonë nën shënjestrën e Ministrisë së Financave, si një treg me dyshime të forta për evazion fiskal. Por kjo është hera e parë kur shoqëritë e tregtimit të naftës ndëshkohen me gjoba masive, të cilat deri tani janë sa 25 për qind e totalit të të ardhurave që i mungojnë buxhetit nga mosrealizimet për nëntë muajt e parë të vitit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›