Reforma zgjedhore, BE-ja kritikon Kosovën
Përfaqësuesi Special i BE-së dhe shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë si dhe shtetet anëtare të BE-së të përfaqësuara në Prishtinë, përmes një deklarate për media kanë shprehur shqetësimin e tyre për mungesën e një përparimi në reformën zgjedhore, veçanërisht duke marrë parasysh mandatin e Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore, i cili do të përfundojë më 22 prill 2012.
Rëndësia e një reforme gjithëpërfshirëse është nënvizuar në Raportin e Misionit të Ekspertëve të BE-së për vitin 2010 dhe në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për vitin 2011, në të cilat është bërë thirrje për një sistem më të thjeshtë dhe më transparent si dhe për shqyrtimin e rasteve të mashtrimit në zgjedhje”- thuhet ne deklarate.
Sipas saj, Komisioneri evropian Stefan Fyle, gjatë vizitës së tij në Prishtinë në maj të vitit 2012, i pati nxitur akterët që ta arrijnë shpejt një qëndrim të përbashkët për reformën zgjedhore, në mënyrë që Kosova ti plotësojë standardet dhe praktikat e mira ndërkombëtare për zgjedhje demokratike.
Duket se është e pamundur që objektivat e këtilla të realizohen brenda afatit të kufizuar në dispozicion. Prandaj, Përfaqësuesi Special i BE-së/Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian dhe shtetet anëtare të BE-së të përfaqësuara në Prishtinë i inkurajojnë fuqishëm të gjitha partitë politike që angazhohen më substancialisht dhe ta shqyrtojnë zgjatjen e mandatit të Komisionit për Reformë Zgjedhore për një afat kohor të kufizuar, në mënyrë që të mundësohet një debat më i thellë, shqyrtimi i rekomandimeve të BE-së, përfshirja e shoqërisë civile dhe realizimi i objektivave fillestare të reformimit dhe thjeshtimit të procesit zgjedhor në Kosovë, në mënyrë që ky proces të jetë përputhje me standardet ndërkombëtare,” thuhet ndër të tjera në deklaratë.