Reforma zgjedhore, shtyhet afati

Komisioni i Reformës Zgjedhore
Komisioni Parlamentar për Reformën Zgjedhore miratoi dje një tjetër kapitull të rëndësishëm që ka të bëjë me zgjedhjet.
Pas një takimi rreth 60 minuta me dyer të mbyllura mes maxhorancës dhe opozitës, u votuan 18 nene të kapitullit të listave të zgjedhësve. Por, Komisionit i kanë mbetur edhe 12 ditë kohë për të miratuar edhe katër kapituj të tjerë të rëndësishëm dhe që sipas të gjitha gjasave, një tjetër shtyrje, qoftë edhe me një javë, do të nevojitet për ta përfunduar ndryshimin e Kodit.
Listat
Me miratimin e këtyre dispozitave i është hapur rrugë edhe vendosjes së një identifikuesi elektronik për kartat e identitetit për zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Kapitulli i listës së zgjedhësve do të diskutohet në parim në Komisionin e Reformës Zgjedhore. Miratimi final i këtij kapitulli do të varet nga miratimi i kapitullit për sistemin e verifikimit në QV dhe udhëzimit që po përgatitet nga Ministria e Brendshme sipas marrëveshjes, thuhet në dokumentin që disponojnë anëtarët e Komisionit. Në përfundim të mbledhjes, bashkëkryetari socialist i Komisionit të Reformës, Damian Gjiknuri, u shpreh se brenda pak ditëve do të miratohen edhe ndryshimet e tjera në Kod, që kanë të bëjnë me identifikimin e votuesve. Kemi lënë disa rezerva që janë duke u diskutuar në nivele teknike. Ky kapitull, në tërësinë e tij, siç është miratuar, është i lidhur me një kapitull tjetër që besoj se do ta miratojmë këtë javë, që ka të bëjë me përdorimin e sistemit elektronik të leximit të dokumenteve të identifikimit në qendrat e votimit, tha Gjiknuri. Sipas amendimeve të miratuara dje, KQZ, jo më vonë se 30 ditë nga dekretimi i zgjedhjeve, emëron me vendim dy auditë për verifikimin e veprimeve në bazën e të dhënave të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile. Të drejtën e propozimit për secilin audit e kanë respektivisht kryetari dhe nënkryetari i KQZ-së, pas konsultimit me përfaqësuesit e partisë më të madhe të shumicës dhe asaj më të madhe të pakicës në KQZ. Auditët nuk mund të shkarkohen nga detyra përveç shkeljeve së përcaktuara në pikën 9 të këtij neni. Auditi zëvendësues emërohet jo më vonë se 5 ditë, sipas së njëjtës procedurë dhe kriter të përcaktuar në këtë nen.
Kodi
Deputeti socialist u shpreh optimist se gjithçka do të mbyllet brenda 12 ditëve të ardhshme, kohë kur do të përfundojë edhe mandati i këtij komisioni. Por jo publikisht nga të dyja palët flitet për një tjetër shtyrje që do të miratohet në Parlament. Konkretisht, Komisioni i Reformës do të marrë në shqyrtim ditët e ardhshme edhe katër kapituj të tjerë të rëndësishëm, të cilët do të kërkojnë kohë deri në hartimin në detaje të amendamenteve. Kështu, ekspertët e PD-së dhe PS-së që po punojnë së bashku nuk kanë shqyrtuar ende kapitujt e Kodit që kanë të bëjnë me procesin e votimit, numërimin elektronik, kapitullin e animimeve në KQZ-së dhe Kolegjin Zgjedhor, si dhe formulën me të cilën do të zgjidhet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Gjiknuri: Pranojmë qëndrimin e të vegjëlve
Bashkëkryetari socialist i Komisionit të Reformës, Damian Gjiknuri, u shpreh dje se opozita pranon propozimin e të vegjëlve për rishikimin e sistemit. Ndryshimet që miratuam janë të lidhura me një kapitull tjetër që ka të bëjë me sistemin elektronik në qendrat e votimit. Jemi duke punuar intensivisht që brenda këtij muaji të mbyllet nga Komisioni. Ne e kemi pikëpamjen tonë dhe po presim që të ndërtohet një propozim i gjithëpranuar. Partitë e vogla preken më shumë dhe në respektim të tyre ne e kemi shprehur këtë qëndrim. Çështja e KQZ-së do të diskutohet javën tjetër. Numërimi elektronik do të përdoret në zgjedhjet e 2013-s, deklaroi Gjiknuri.
Hiqen nga lista votuesit mbi 100 vjeç
Në ndryshimet e miratuara dje, Komisioni ka vendosur që të heqë nga lista e votuesve personat që janë mbi 100 vjeç. Votuesit që janë gjallë do të detyrohen të kërkojnë pranë gjendjes civile të jenë pjesë e listës së zgjedhësve. Shtetasit që nuk janë përfshirë në ekstraktin e përbërësve zgjedhorë për shkak se kanë mbushur moshën 100 vjeç, përfshihen në listën e zgjedhësve të zonës së qendrës së votimit ku kanë vendbanimin, në përputhje me germën (e) të pikës 1 dhe procedurën e parashikuar në germën (a) të pikës 2 të këtij neni, thuhet në pikën 3 të nenit 53 të Kodit të miratuar dje. Në nenin 53, pika 1, thuhet se një nga arsyet ku mund të ndërhyhet në listë është edhe rasti kur votuesi nuk e gjen emrin.
Ndryshimet në Kodin Zgjedhor
Një zonë qendre votimi ka jo më pak se 200 dhe jo më shumë se 1000 zgjedhës me vendbanim në territorin e saj.
Zgjedhësit në listë renditen sipas rendit alfabetik të mbiemrit.
Çdo zyrë e gjendjes civile është përgjegjëse për përgatitjen e listave të zgjedhësve të zonave të qendrave të votimit nën juridiksionin e saj, në përputhje me aktet nënligjore të nxjerra nga ministri që ka në varësi shërbimin e gjendjes civile. Zyra e gjendjes civile ka akses të plotë në RKGJC mbi përbërësit zgjedhorë të shtetasve të njësisë vendore, individualisht dhe në tërësi, dhe ka përgjegjësi të plotë për saktësinë e administrimit dhe ndryshimit të tyre.
DPGJC-ja, jo më vonë se 5 ditë nga dita e dekretimit të datës së zgjedhjeve, urdhëron zyrat e gjendjes civile të fillojnë procesin e hartimit të ekstraktit të përbërësve zgjedhorë në përputhje me këtë Kod. Jo më vonë se 15 ditë nga dita e dekretimit, zyra e gjendjes civile nxjerr në format elektronik ekstraktin me përbërësit zgjedhorë të të gjithë shtetasve me të drejtë vote në datën e zgjedhjeve, me përjashtim të shtetasve që kanë mbushur 100 vjeç në afatin e përcaktuar në këtë pikë.
Kur numri i zgjedhësve të një zone qendre votimi është më i madh se 1000, lista e zgjedhësve ndahet në aq pjesë të barabarta sa qendra votimi ngrihen për atë zonë qendre votimi në përputhje me nenin 62.
Jo më vonë se 30 ditë nga dekretimi i datës së zgjedhjeve, zyrat e gjendjes civile, pas miratimit nga kryetari i njësisë vendore, printojnë dhe publikojnë ekstraktin e përbërësve zgjedhorë të të gjithë shtetasve që kanë vendbanim në zonat e qendrave të votimit nën juridiksionin e çdo zyre. Publikimi bëhet në ambientet e zyrave të gjendjes civile ose në ambientet pranë tyre me akses të lirë për publikun.
Zyra e gjendjes civile harton listën e zgjedhësve për çdo zonë qendre votimi jo më vonë se 40 ditë para datës së zgjedhjeve, duke nxjerrë nga të dhënat elektronike të RKGJC-së të gjithë shtetasit që do të mbushin moshën 18 vjeç deri në datën e zhvillimit të zgjedhjeve dhe që kanë vendbanimin në zonat e qendrave të votimit nën juridiksionin e saj. Lista miratohet nga kryetari i njësisë përkatëse të qeverisjes vendore.
ADI SHKEMBI