Milo: Në 2013 do jemi në pushtet me çdo qeveri legjitime

Paskal Milo
Kreu i PDS: Tryezë me partitë e djathta për reformën.
Kemi pasur oferta për në qeveri pas 2005, kemi më shumë moral se të pasurit e deputetëve të PS
Aleati i Partisë Socialiste, Paskal Milo, kreu i PDS-së, në një intervistë për gazetën Panorama shprehet se është i gatshëm të jetë pjesë e çdo shumice parlamentare në 2013-n.
Ai tregon se ka pasur oferta nga maxhoranca aktuale për të qenë pjesë e qeverisë, por i ka refuzuar për shkak të një morali, që sipas tij, po injorohet nga PS përmes reformës zgjedhore dhe sistemit proporcional rajonal.
Reforma zgjedhore duket se po shkon drejt fundit, por ende nuk ka zhvillim lidhur me një korrektim kombëtar të sistemit. Partitë e vogla kanë dhënë një ultimatum ndaj PS për të realizuar një korrektim kombëtar dhe si përgjigje, zoti Rama ka ofruar një tryezë të hapur me publikun për të diskutuar pikëpamjet e palëve për të. I përgjigjeni pozitivisht kësaj ftese?
Ne po ndjekim me shumë vëmendje dhe nga afër të gjitha lëvizjet e partive politike në adresë të reformës zgjedhore. Deri tani, në shumë raste, kemi shprehur pakënaqësinë tonë të thellë që kësaj reforme, si tani ashtu dhe në të kaluarën, i ka munguar elementi kryesor, siç është transparenca dhe gjithëpërfshirja. Edhe kjo reformë, të paktën deri tani, ka mbetur një çështje kulisash e dy partive të mëdha politike, të cilat nuk dëshirojnë që të ketë transparencë. Procesi po bëhet jo vetëm larg syve të publikut, por dhe larg syve të partive të tjera politike në Shqipëri. Kjo, pa dyshim, nuk paralajmëron asgjë të mirë për zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri, sado avokati tu bëjnë këtyre përgatitjeve qoftë dy partitë e mëdha, qoftë edhe ndonjë ambasador që ndodhet këtu për vakanca. Debati publik është njëra anë e problemit. Nuk është se kanë munguar përpjekjet për këtë debat. Ne vetë kemi marrë iniciativën dhe kemi biseduar në tryeza të organizuara për këtë qëllim, por nuk është gjithçka. Ka ardhur koha që dy partitë e mëdha të tregojnë me vepra dhe jo me fjalë që janë për një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse, transparente dhe që garanton barazinë e votës së qytetarëve shqiptarë si dhe zgjedhje të lira në 2013-n. Me fjalë e me premtime jemi ngopur deri në fyt, sot është ora e provës së madhe për dy partitë e mëdha, qoftë para opinionit publik shqiptar, komunitetit ndërkombëtar apo dhe aleatëve të tyre respektivë, sepse ka ardhur momenti që duhet të shfaqen hapur sjelljet dhe qëndrimet e tyre ndaj një prej reformave më të rëndësishme që ka të bëjë, në fund të fundit, edhe me çështjen e integrimit europian të Shqipërisë. Kështu që ne nuk mund të pranojmë që dy partitë e mëdha tia hedhin topin njëra-tjetrës dhe tia kalojnë përgjegjësinë njëra-tjetrës për të maskuar një bashkëpunim që duket që është në kulisa, që duket që ka kohë që funksionon jo vetëm përmes kontakteve fizike të përfaqësuesve të dy partive të mëdha politike, por edhe me mirëkuptimin në distancë për çështje që nuk u interesojnë. Konkretisht, po përsëritet gabimi i vitit 2008, i cili na çoi në një Kod Zgjedhor krejtësisht të papërshtatshëm për Shqipërinë dhe që solli një palë zgjedhje shumë problematike në vitin 2009, pasojat e të cilit ne po i ndiejmë edhe sot e kësaj dite.
Cili është mendimi i partive aleate të djathta dhe cilat do të jenë hapat e mëtejshëm?
Ne jemi konsultuar dhe vazhdojmë të konsultohemi me të gjithë kolegët tanë të spektrit të majtë dhe të djathtë për të ndërmarrë një iniciativë të re shumë serioze dhe shumë të përgjegjshme për ti propozuar tryezës së Komisionit të Reformës Zgjedhore një amendim konkret të Kodit Zgjedhor në disa variante, për ti vënë edhe një herë tjetër para detyrimit madhor për të reflektuar lidhur me një çështje kaq shumë të rëndësishme siç është barazia e votës së qytetarëve shqiptarë. Jemi duke punuar me kolegët tanë edhe të së djathtës për ti paraqitur këto amendamente qoftë dhe në formën e një tryeze të të gjitha partive politike të ftuara prej nesh, ku tu ofrojmë nënshkrimin e këtij dokumenti për tia paraqitur zyrtarisht Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore.
Nëse mungon ky vullnet politik nga dy partitë e mëdha, cili do të jetë veprimi i ardhshëm i partive të vogla?
Unë nuk besoj se ata do të jenë kaq indiferentë ndaj lëvizjes sonë politike, sepse, në fund të fundit, nga mëngjesi deri në darkë, për vite të tëra u kanë shitur shqiptarëve me tonelata demagogji për reformën zgjedhore, për përmbushjen e të gjitha rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it dhe për dhënien fund të gjithë kësaj odiseje të pafund të reformave zgjedhore në Shqipëri. Pra nuk mund ti lajnë duart si Pons Pilati të dyja partitë e mëdha thjesht me deklarata publike që realisht synojnë të maskojnë atë që ato mendojnë për partitë e vogla. Shqipëria nuk mund dhe sdo të bëhet, se koha punon kundër këtyre koncepteve, një domen ku do të këmbehen sipas rastit zotërinjtë e pushtetit nga dy partitë e mëdha politike. Aksioni ynë politik, sigurisht që do të vazhdojë, ne do të shikojmë se si do të përfundojë reforma zgjedhore dhe në varësi të saj do të ndërmarrim iniciativa të tjera për ta ndaluar këtë rrëshqitje të pafalshme të Shqipërisë drejt krizave të ardhshme politike. Është përgjegjësia jonë, pavarësisht se dikush mund të thotë se ne nuk kemi atë peshë të mjaftueshme politike për ta ndaluar procesin apo imponuar dy partive të mëdha. Vërtet ne mund të mos kemi jo për fajin tonë, por për shkak të këtyre ligjeve që bëhen, atë potencial elektoral që mund të kishim në kushtet e një ligji të drejtë, por forca jonë qëndron te morali apo vetë kauza që ne mbrojmë. Prandaj ne kërkojmë mbështetjen e të gjithë shqiptarëve. Është shpejt të themi se cilat do të ishin kombinacionet apo taktikat e ardhshme elektorale, sepse presim përfundimin e Kodit të ri Zgjedhor. Pa dyshim që do të ketë lëvizje të detyruara, do të ketë taktika të reja, do të ketë dhe kombinacione pragmatiste në fund të fundit, për të siguruar përfaqësimin e të gjithë atyre dhjetëra e mijëra votuesve që na kanë mbështetur dhe do të na mbështesin në të ardhmen.
Kreu i PBDNJ-së është shprehur se në vitin 2013 do të jetë në qeveri, duke shprehur në këtë mënyrë dhe një lloj pendimi që mbeti pas vitit 2009 në opozitë dhe nuk iu bashkua koalicionit aktual qeverisës, i cili ka thyer tabutë e dikurshme në politikë. Do të bëni koalicion me të djathtën, keni pasur oferta nga zoti Berisha?
Çdo parti politike ekziston dhe synon që të vijë në pushtet, prandaj nuk është çudi kur artikulohen synime të tilla. PDS, që kur është krijuar, ka qenë në opozitë dhe vazhdon të jetë në opozitë, pavarësisht se ka pasur oferta zyrtare për të qenë pjesë e qeverive të viteve të fundit. Ne nuk kemi shkuar në këto qeveri jo për sytë e bukur, as për mendjen e ndritur të ndonjë socialisti apo militanti të devotshëm të PS apo të ndonjë gazetaruci të saj. Ne nuk kemi atë koncept që ende ekziston në disa mendje të mykura, që e shikojnë Partinë Socialiste si qëmoti, si parti-shtet, koncept ky që ka zënë rrënjë të thella edhe në PD. Ne shtetin nuk e shohim si pronë të një individi, as dhe të një partie të vetme politike. Për ne shteti është një institucion i shenjtë që duhet qeverisur në mënyrë demokratike dhe në mënyrë sa më kolegjiale, mbështetur mbi bazën e meritokracisë dhe të votës që qytetarët shqiptarë u japin partive politike. Nga kjo pikëpamje, ne i kemi të gjitha mundësitë dhe aftësitë që nesër të kontribuojmë në mirëqeverisjen e këtij vendi. Ne nuk mund të na përjashtojnë apriori me ligje të bëra në kulisa për interesat e dy partive të mëdha politike.
Ju do të kontribuoni nëse ju kërkohet, pavarësisht se cila do të jetë partia që ka marrë