E Shtunë, 31 Tetor 2026

Klinton: Këtë vit do të vij në Shqipëri

Haxhinasti e Klinton

Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hilari Klinton, do të vizitojë Shqipërinë në gjashtëmujorin e dytë të këtij viti. Kjo u bë e ditur në takimin që zyrtarja e lartë amerikane pati me ministrin e Jashtëm, Edmond Haxhinasto, në ministerialin e NATO-s që po zhvillohet në Bruksel. Zv.Kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, z. Edmond Haxhinasto, ndodhet për vizitë dyditore në Bruksel, ku po merr pjesë në punimet e ministerialit të NATO-s. Gjatë punimeve të këtij ministeriali, ministri Haxhinasto është takuar me sekretaren Amerikane të Shtetit, znj. Hillari Klinton. Z. Haxhinasto i ka përsëritur zonjës Klinton ftesën për të vizituar Tiranën. Zonja Klinton ka premtuar se në gjysmën e dytë të vitit 2012 do jetë për vizitë në Tiranë, thuhet në njoftimin për shtyp. Në këtë takim të NATO-s po diskutohen tema që kanë të bëjnë me çështje të sigurisë si Afganistani, por edhe çështje të tjera si Paketa e Mbrojtjes së Aleancës, partneritetet e Aleancës me shtete të tjera etj. Ky samit është përgatitor dhe mbahet para Samitit të Krerëve të Shteteve dhe qeverive të Aleancës, që do të zhvillohet në Çikago më 20-21 maj 2012. Në samitin e Çikagos, krerët e shteteve dhe qeverive do të marrin vendime lidhur me të ardhmen e forcave të Aleancës deri në 2020, përfundon njoftimi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›