E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reforma zgjedhore, Mediu braktis mbledhjen

15/12/2011  Të vegjlit ankohen për mospërfshirjen e ndryshimit të sistemit zgjedhor në axhendën e punimeve

Partitë e vogla dolën dje kundër programit të punimeve të komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore të miratuar nga demokratët dhe socialistët. Shkak i këtij vendimi mësohet së është bërë mospërfshirja në axhendën e punës të pikës së shumëdebatuar nga të vegjlit: ndryshimi i sistemit zgjedhor. Në mbledhjen e djeshme të zhvilluar me dyer të mbyllura, ende pa përfunduar takimi i dytë, kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, ka braktisur sallën. Në një prononcim për medien pasi doli nga Kuvendi, Mediu theksoi se komisioni po diskuton vetëm çështje të karakterit teknik. “Ne jemi përfaqësues politikë dhe pjesëmarrja jonë duket e tepërt për aq kohë sa aty flitet vetëm për çështje teknike”, - theksoi Mediu. Sipas tij, janë anashkaluar dhe nuk po flitet për ato kërkesa jetike të bëra nga partitë e vogla. Partitë e vogla janë thirrur nga komisioni parlamentar për reformën zgjedhore për të prezantuar propozimet mbi kodin elektoral, duke parashikuar edhe ndryshimin e sistemit. Por kreu i republikanëve u shpreh se “edhe mbajtja e mbledhjeve me dyer të mbyllura dëshmon mungesë të thellë transparence”. Miratimi i planit të punës duket se është dhe konsensusi i parë mes demokratëve e socialistëve, që ka ngjallur hije dyshimi tek aleatët e vegjël në të dy kampet. Këta të fundit ndihen të rrezikuar për të mos u përfaqësuar në Kuvend, nëse nuk korrektohet sistemi proporcional rajonal. Pas këtij debati anëtarët e komisionit kanë vijuar punën, ku është miratuar dhe plani i hartuar nga ekspertët zgjedhorë. Bashkëkryetari socialist i komisionit për Reformës, Damian Gjiknuri, në përfundim të tryezës u shpreh se puna do të nisë nga deformimet e evidentuara nga OSBE–ODIHR-I gjatë vëzhgimit të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009 dhe ato lokale të vitit 2011. Sipas vendimit të Kuvendit, komisioni i posaçëm për reformën zgjedhore ka objekt të punës së tij hartimin e amendamenteve për Kodin Zgjedhor në kuadër të rekomandimeve të raporteve të OSBE–ODIHR-it.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›