E Shtunë, 31 Tetor 2026

Djeg shtëpinë për inat të gruas, arrestohet

15/12/2011  Babai i 5 fëmijëve,tashmë të pastrehë, keqtrajtonte të shoqen pasi konsumonte alkool

CERRIK- Djeg shtëpinë e tij, arrestohet 41-vjeçari nga Cërriku. Policia ka vënë në pranga shtetasin Kastriot Ymeri 41 vjeç me banim në lagjen 2 në këtë qytet e ka djegur shtëpinë në kushtet e tronditjes psikologjike pas konflikteve të vazhdueshme me bashkëshorten e tij Anita Ymeri. Pas grindjes, 41-vjeçari i ka hedhur benzinë shtëpisë e më pas i ka vënë flakën. Me gjithë përpjekjet e fqinjëve dhe repartit të zjarrfikësve ka qenë e pamundur që të parandalohet djegia e banesës. Në vendin e ngjarjes shkoi policia dhe një grup hetimor dhe nga të dhënat paraprake, bazuar edhe në dëshmitë e bashkëshortes, Kastriot Ymeri i ka vënë flakën banesës për shkak se konsumonte alkool dhe keqtrajtonte bashkëshorten e tij.

Ngjarja

Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e së mërkurës kur Kastrioti, baba i 5 fëmijëve ka marrë kashtë dhe ka mbushur shtëpinë, ku gjendej vetëm dhe i ka vënë flakën. Të afërmit kanë nxituar të nxjerrin orenditë nga shtëpia dhe kanë shpëtuar ç’të mundnin pasi zjarri ka qenë i përmasave të mëdha. Në përfundim e gjithë shtëpia është djegur me një pjesë të orendive, si dhe dyer dritare e çatia. Kastriot Ymeri jetonte vetëm në momentin e vënies së zjarrit, ndërsa fëmijët rrinin tek i vëllai. Bashkëshortja e tij së fundi ishte larguar nga shtëpia, pasi kishte rënë disa herë pre e dhunës së 41-vjeçarit. I papunë ai ishte edhe një konsumues alkooli. Paratë me të cilat jetonte ia sillnin djemtë nga emigracioni. Mësohet se burri ka tentuar edhe një ditë më parë t’i vërë flakën shtëpisë, por është ndalur nga të afërmit. Nuk dihet nëse ka qenë i pirë në momentin e zjarrvënies, por pak pas djegies së shtëpisë ai është arrestuar nga policia e Elbasanit për djegie të pronës me zjarr edhe pse shtëpia ishte pronë e tij. Familjarët dhe fëmijët e tij thonë se burri ishte kthyer në një shqetësim të madh për familjen. Ai disa herë ishte shoqëruar në polici për dhunë ndaj të shoqes, por ishte lënë sërish i lirë. Madje të afërmit akuzojnë policinë se nuk mori masa më parë që ai të mos mbërrinte deri në këtë ngjarje të rëndë. Tashmë fëmijët e mitur janë pa shtëpi dhe për ta kujdesen të afërm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›