E Diel, 1 Nëntor 2026

Shuhet mësuesi i merituar dhe publicisti Lec Zadeja

15/12/2011  Në moshën 82-vjeçare

SHKODER- Mësuesi i merituar, studiuesi, publicisti, shkrimtari shkodran Lec Zedeja është ndarë nga jeta në moshën 82-vjeçare. Ditën e mërkurë të afërmit, miqtë dhe intelektualë të Shkodrës kanë përcjellë për në banesën e fundit, njërin prej intelektualëve më të njohur të Shkodrës, për sa i takon kontributit të tij, kryesisht në arsim e gazetari. Lec Zadeja do të njihej që nga viti 1959 si një nga bashkëpunëtorët më aktiv të shtypit të kohës dhe të radios. Kontributi i tij në gazetari ka përfshirë fusha të ndryshme si ato të arsimit, artit, kulturës dhe sportit. Duke qenë pjesë e familjes së njohur intelektuale dhe patriotike Zadeja, Leci punoi me përkushtim jo vetëm në arsim, por edhe në fushën e publicistikës dhe krijimtarisë letrare. Puna e tij në fushën e publicistikës nuk do të njihte ndalesë deri në ditët e fundit të jetës. Për rreth 50 vite Lec Zadeja do të ishte aktiv në jetën publicistike. Për 23 vite me radhë punoi në këtë fushë njëherazi me punën e arsimtarit. Pas daljes në pension punoi dhe 27 vite të tjera, duke dhënë kontributin e tij në publicistikë. Në shkrimet e tij njihej jo vetëm me emrin e vërtetë, por edhe me pseudonimet Leja dhe Kronisti. Me rihapjen e institucioneve fetare, Zadeja ka dhënë kontributin e tij në shtypin fetar të kohës. Emri i Lec Zadejës është përfshirë në enciklopedinë shqiptare të gazetarëve. Për kontributin e dhënë në fushën e arsimit është nderuar me titullin “Mësues i merituar”. V. Abdyli

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›