E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reforma zgjedhore, Rama: Berisha të pranojë propozimin e PS-së

Kryetari i PS-së Edi Rama i bëri apel kryeministrit Berisha të mbajë premtimin e dhënë se do të pranojë çdo propozim të opozitës për reformën zgjedhore. Në mbledhjen e parë për këtë vit të grupit parlamentar të PS-së, Rama ka theksuar se përmirësimi i sistemit zgjedhor është në dobi të vendit, të shoqërisë dhe politikës shqiptare.
 

“I bëj sot apel kreut të palës tjetër, për ta konsideruar përmirësimin e sistemit si dobiprurëse për vendin, shoqërinë, politikën. Nëse në 100 vjet shtet dhe 20 vjet liri nuk kemi arritur tu japim shqiptarëve të drejtën e votës, ne duam ta kthejmë këtë vit në atë të ndarjes përfundimtare nga realiteti i vjedhjes së zgjedhjeve për të vjedhur vendin”- tha Rama.

Ai ka kërkuar reformë brenda afatit të përcaktuar, që të adresojë rekomandimet e OSBE, lista të sakta e pa manipulim, identifikimi i zgjedhësve, numërimi i votave që të mos përsëriten numërimet maratonë, administratë zgjedhore që KQZ të mos jetë monopol i dy partive të mëdha.

“Duam reformë zgjedhore që të adresojë rishikimin e sistemit, duke e prekur ose jo Kushtetutën, me këtë nuk nënkuptojnë ndryshimin, por përmirësimin e tij”- ka shtuar më tej Rama.

Ai ka theksuar gjithashtu se kryemistri Berisha që në fillim të këtij viti ka dëshmaur hapur egërsinë e pushtetit ekzekutiv për gjyqësorin. “Ai ka goditur me një gjuhë mafioze prokurorinë dhe ka paralajmëruar arkivimin e çështjes Meta” ka theksuar Rama. 

Kreu i PS-së Rama i ka kërkuar prokurorisë të zbardhë vrasjet e 21 janarit ndërsa shtoi se forca politike që ai drejton nuk do ta harrojë këtë ngjarje, pa u vënë në vend drejtësia.

“Mos harroni 21 janarin, ne nuk do ta harrojmë kurrë deri sa të vendoset drejtësi. Prokuroria të mos ndalet para kërcënimeve mafioze, por të bëjë detyrën e saj”, theksoi më tej Rama ndërsa ftoi qytetarët që në këtë ditë homazhi të vendosin lule në kujtim të katër viktimave.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›