E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Takimi Berisha Meta, kërcënim për drejtësinë

Edi Rama, kryetar i Partisë Socialiste, ka deklaruar se takimi i kryeministrit Berisha me ish-zv.kryeministrin Ilir Meta është një kërcënim për sistemin e drejtësisë. Rama theksoi se kjo është egërsia e radhës e pushtetit ekzekutiv ndaj prokurorisë duke dëshmuar se qytetarët nuk janë të barabartë para drejtësisë.

Kryeministri i vendit ka dëshmuar hapur egërsinë e pushtetit ndaj drejtësisë. Pas 100 vitesh pavarësi, Shqipëria nuk ka asnjë lloj barazie para ligjit dhe gjykatësit janë kthyer në varrmihësit e drejtësisë, u shpreh lideri i opozitës.

Rama më tej foli për bashkëpunimin mazhorancë opozitë dhe theksoi se PS-ja do të respektojë atë deri në fund, në mënyrë që Shqipëria të marrë statusin kandidat për anëtarësimin në BE. Axhenda e këtij viti ka të bëjë me demokratizimin e shtetit. Do të mbajmë deri në fund peshën e përgjegjësisë për këtë proces. Nuk do të lejojmë dështimin e përsëritur për marrjen e statusit kandidat, tha kreu i PS-së.

Lidhur me reformën zgjedhore, Rama tha se mazhoranca duhet të tregohet e gatshme për përmirësimin e sistemit zgjedhor. Pushtetarët e sotëm po bëjnë çdo ditë të kundërtën e asaj që thonë. Sot askush nuk dyshon për të vërtetën e hidhur se Shqipëria nuk arrin dot të bëjë zgjedhje normale. Nëse në 100 vjet shtet dhe 20 vite liri nuk kemi arritur t’i japim lirinë dhe të drejtën e votës qytetarëve, ne duam ta kthejmë këtë vit në vitin e ndarjes me realizimin e zgjedhjeve të vjedhura. Duam reformë zgjedhore brenda afatit të caktuar dhe që adreson rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, nënvizoi ai.

Rama e mbylli fjalën për reformën zgjedhore duke thënë se palës tjetër i kujtoj se ka deklaruar më shumë se 100 herë se do të pranojë propozimet e PS. Nuk është hera e parë që e bën këtë gjë, e bën çdo ditë dhe çdo herë zotëria.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›