Pranga të rinjve, grabisnin me dhunë kalimtarët
Dy të rinj janë vënë në pranga nga policia e Tiranës për një sërë vjedhjesh të kryera me dhunë në kërcënimin e thikës e të maskuar.
Marsel Sali, 19 vjeç, banues në Tiranë, i proceduar më parë për veprën penale të vjedhjes me dhunë, dhe Xh.M, 16 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për vjedhje me dhunë janë arrestuar pas zbardhjes dhe dokumentimit të veprimtarisë së tyre kriminale.
Sipas policisë, një ditë më parë ata i kishin marrë me dhunë një 16-vjeçari në bulevardin Zogu i Parë shumën prej 700 mijë lekësh, duke e plagosur me thikë.
Gjithashtu, hetimet e policisë i nxorën dy të rinjtë autorë edhe të një vjedhjeje tjetër në afërsi të Pallatit të Kulturës, ku nën kërcënimin e thikës i kishin marrë me dhunë një shumë prej 6000 mijë lekë shtetasit Gëzim Miri.
Ndërkohë, policia në bashkëpunim me prokurorinë po punojnë intesivisht për të zbardhur dhe dokumentuar të tjera vjedhje me dhunë të kryera nga këta shtetas, ndërsa ndaj tyre është marrë masa e arrestit për konsumim të veprës penale të ‘Vjedhjes me dhunë e kryer në bashkëpunim’.