E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reforma në drejtësi dhe kufizimi i imunitetit, objektivat e vitit 2012

13-01-2012 / Gazeta 55

Ministria e Drejtësisë zhvillon analizën vjetore të vitit 2011
    
Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, deklaroi dje gjatë analizës së punës së dikasterit të drejtësisë për vitin 2011, se objektivi kryesor për këtë vit mbetet siguria publike, jeta e qytetarëve nga njëra anë dhe përgjegjësia dhe përgjegjshmëria që kanë aktorët e sistemit të drejtësisë, gjyqtarë, prokurorë, oficerë të Policisë Gjyqësore, inspektorë të burgjeve, etj. Ajo që është e rëndësishme, tha Halimi, është përgjegjshmëria që këto aktorë duhet të kenë ndaj ligjit dhe se ministria e Drejtësisë i ka të gjitha mekanizmat e kontrollit për të verifikuar zbatimin e ligjit nga të gjithë aktorët e këtij sistemi.
Sipas tij, gjatë vitit të shkuar, Ministria e Drejtësisë operoi me ligjet që kërkonin shumicë të thjesht, ndërsa gjatë këtij viti janë të domosdoshëm ligjet me 3/5, të cilët kërkojnë dhe konsensusin e opozitës. Fokusin kryesor ministri Halimi e vuri te ligjet që synojnë reformimin e sistemit të drejtësisë.
“Gjatë vitit 2011, ministria e Drejtësisë operoi me ligjet që kërkonin shumicë të thjeshtë, ndërkohë që së bashku me misionet e huaja, aktorët përgjegjës, si Gjykatën e Lartë, Gjykatën Kushtetuese, etj., është marrë në analizë paketa ligjore për reformën në drejtësi dhe pritet që opozita të japë sinjalin e saj edhe për ligjet që kanë të bëjnë me 3/5, me qëllimin e vetëm, luftën ndaj korrupsionit në drejtësi dhe reformimin tërësor të sistemit të drejtësisë”, tha ai.
Për ministrin Halimi viti 2011-ë ka qenë një vit i suksesshëm për Ministrinë e Drejtësisë, pasi përbën një hap pozitiv drejt hartimit të paketës së ligjeve dhe reformës në drejtësi. “Hartimi i paketës së ligjeve dhe reformës në drejtësi, qëllimi  implementimit të kësaj pakete dhe zhvillimet infrastrukturore në sistemin e drejtësisë, përfshirë edhe sistemin e burgjeve, kanë qenë ndër arritjet thelbësore të ministrisë së Drejtësisë për vitin që lamë pas”, theksoi ai.
Halimi përmendi në këtë kuadër hartimin e dokumenteve strategjikë që përbëjnë një rëndësi të veçantë  në drejtim të koordinimit të masave dhe konsolidimin e legjislacionit në fushën e drejtësisë, dokumentin strategjik që synon të reflektojë hapat që duhet të merren në procesin integrues të vendit në BE, dokumentin e miratuar nga qeveria, në bashkëpunim  me institucionet e pavarura kushtetuese, duke identifikuar nevojat, masat konkrete për përmbushjen e objektivave strategjikë për një drejtësi efektive, të pavarur dhe eficente.
Një çështje me rëndësi të veçantë për vitin 2011, tha Halimi, ka qenë edhe organizimi i disa tryezave me ekspertë të BE-së, avokatë, prokurorë, ku janë përgatitur amendimet ligjore për projektligjin e ri për Avokatin e Popullit. Këto amendime, tha ai, janë në fazën finale dhe pritet komenti i bërë nga disa misione që asistojnë pranë institucionit të drejtësisë. Halimi bëri të ditur se brenda janarit do të prezantohet projektligji i ri për shërbimin e Avokatit të Popullit në Shqipëri, ligj i cili synon shmangien përfundimisht të zvarritjes së proceseve nga avokatët. Imuniteti i gjyqtarit dhe zyrtarëve me funksion ishte një tjetër çështje me rëndësi për të cilën Halimi tha se mazhoranca e ka ngritur prej shumë kohësh. Për ministrin Halimi kjo çështje përbënte një kalë beteje për mazhorancën.
“Ne i qëndrojmë faktit se zyrtarët dhe gjyqtarët, të cilët akuzohen për korrupsion, të mos kenë imunitet. Sigurisht kjo është një çështje e cila duhet të zgjidhet edhe përmes ndryshimeve ligjore në rastin e zyrtarëve, apo edhe ndryshimeve që janë propozuar në lidhje me imunitetin. Nuk është imuniteti i gjyqtarëve pa të cilin lufta kundër korrupsionit në drejtësi nuk mund të zhvillohet. E përsëris se askush nuk e pengon institucionin, i cili ka misionin kushtetues për të luftuar korrupsionin dhe për të ushtruar ndjekjen penale, në rastin në fjalë, Prokuroria që të fillojë çështjen ndaj të gjithë aktorëve të tjerë të sistemit të drejtësisë që nuk kanë korracën e imunitetit”, tha Halimi.
Procesi i paraqitjes së kërkesave në Agjencinë e Kompensimit dhe Kthimit të Pronave ishte një tjetër pikë e rëndësishme e analizës së institucionit të Drejtësisë, për të cilën Halimi tha se për këtë vit janë në proces ato kërkesa të cilat janë paraqitur brenda afatit vitin e kaluar.
Agjencia e Kompensimit të Pronave ka përfunduar pjesën e procedurave, ndërsa tani është sistemi gjyqësor ai që do të vendosë. Nisur nga ankesat e ardhura deri tani në ministrinë e Drejtësisë, Halimi tha se ato do të shërbejnë si një test i vendimeve të gjykatave. Halimi bëri të ditur gjithashtu se po punohet për ngritjen e një portali të shqyrtimit të këtyre kërkesave, i cili shumë shpejt do të jetë në ministrinë e Drejtësisë on –line, ku qytetarët do të mund të shohin se si është marrë në konsideratë kërkesa e tyre. Viti 2011, tha Halimi, shënoi fillimin e Reformës së thellë në sistemin e Noterisë, për dixhitalizimin e punës së noterëve, aplikimin on-line në zyrat e regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, dhe duke e kthyer këtë zyrë në një model të institucionit të rëndësishëm, të përgjegjshëm dhe eficent, duke e bërë lider në rajon.
Paketa e hartuar gjatë vitit 2011, tha ministri i Drejtësisë, përbën një bazë mjaft të rëndësishme për impaktin që do të sjellë këtë vit për qytetarët dhe biznesin, impaktin që do të sjellë për shkurtimin e kohës dhe shërbimet që ata kryejnë gjatë këtij transaksioni, nga afati i dikurshëm 21 ditë, vetëm brenda dy ditëve, i cili do të sjellë edhe garancinë e plotë të veprimeve  ligjore dhe sigurinë e plotë juridike gjatë këtij transaksioni për një pasuri të paluajtshme.
Viti 2011 shënoi fillimin e një reforme tërësore në zyrën e regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, duke përfunduar hartimin e një projektligji, tërësisht të reformuar, për mënyrën e saj të veprimit. Projekte të cilat panë dritën e realizimit gjatë 2011-ës dhe që do të përparësohen gjatë 2012-ës janë ndërtimi Gjykatës Administrative të shkallës së parë dhe apelit të cilat priten të finalizohen brenda këtij viti si dhe fillimi i procedurave për Pallatin e Drejtësisë, në Tirane pas miratimit të fondit nga BE.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›