E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shaqiri, i katërti në Zvicër

Xherdan Shaqiri është renditur në mesin e sportistëve më të mirë të vitit në Zvicër. Futbollisti kosovar është futur ndër pesë të parët, respektivisht në pozitën e katërt, në spektaklin që u mbajt të dielën mbrëma.

Në fund të emisionit, i cili u transmetua në televizionet zvicerane, thirrjet e numëruara nga shikuesit nxorën si sportistin më të mirë të vitit skitarin Didier Cuche, për të cilin kishin telefonuar 27,90 për qind e atyre që kishin votuar.

Gjilanasi përfundoi i katërti me 13,28 për qind, prapa skitarit tjetër Dario Cologna (2), që mori 26,51 për qind të votave dhe tenistit Roger Federerit, i cili u desh të kënaqej me pozitën e tretë (25,84).

Interesante ishte se shumica e njerëzve të pyetur gjatë emisionit për preferencat e tyre, parapëlqenin Shaqirin ose tenistin Federer. Por, votat telefonike vendosën ndryshe.

Një sondazh paralel i mbajtur nga portali i gazetës Blick ka nxjerrë Shaqirin si të dytin, me 20.80 për qind të pikëve, pas Federerit, që ka mbledhur më shumë se ai, gjegjësisht 33 për qind të votave.

Ekipi më i mirë sportiv i Zvicrës është zgjedhur Kombëtarja U-21, në të cilën këtë vit kanë shkëlqyer edhe Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka, Admir Mehmedi, Pajtim Kasami dhe Amir Abrashi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›