Reforma zgjedhore, sot diskutohen çështjet e "nxehta"
Sot finalizohet puna për reformën elektorale. Mbledhja e sotme e komisionit për reformën zgjedhore duket se do të përcakojë fatin e kodit të ri elektoral.
Partitë politike të cilat do të mblidhen në kryesinë e Kuvendit kanë lënë për në orët e fundit të mandatit të komisonit diskutimin e çëshjeve "të nxehta" siç është formatimi i KQZ-së, mënyra si do procesohet për ankimimet zgjedhore dhe veçanërisht përdorimi i teknologjisë në zgjedhje.
Ndërkohë të dyja palët ndahen në një pikë sa i përket kapitullit të KQZ-së. PS-ja propozon që KQZ-ja e re të nisë punën menjëherë sapo të miratohet në Parlament. Por, demokratët kujtojnë faktin se shtatë anëtarët aktualë të KQZ-së kanë mandat deri në dhjetor dhe nëse atyre u ndërpritet mandati më përpara, kjo është një shkelje e Kushtetutës.
Kështu të dyja palët, do të kenë vetëm 24 orë në dispozicion për të miratuar edhe ndryshimet e fundit në Kod, përpara se drafti t`i kalojë Parlamentit.
Ndërkohë gjatë mbledhjes së djeshme, komisioni miratoi disa nga kapitujt që kanë të bëjnë me regjistrimin e subjekteve politike, me fushatën, median dhe financimin e partive politike.