E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reforma zgjedhore, “të vegjlit” kërkesë për shkarkimin e Islamit dhe Rusmalit

Partitë e vogla, iniciativë për zhbllokimin e Komisionit për Reformën Zgjedhore. Ceka: Reforma zgjedhore nuk mund të jetë reforma “alla Haxhi Qamili”
Shaban Sulçe

Deputetët e partive të vogla parlamentare do t’i kërkojnë Kuvendit të Shqipërisë shkarkimin e dy bashkëkryetarëve të Komisionit Parlamentar të Reformës Zgjedhore. Përgjegjësia e bllokimit të qëllimshëm të këtij komisioni u është faturuar bashkëkryetarit socialist Kastriot Islami dhe atij të PD-së Ilir Rusmali, ndaj të cilëve shumë shpejt në drejtim të Kuvendit të Shqipërisë do të bëhet kërkesa për shkarkimin e tyre. Lajmi është bërë i ditur nga Presidenti i Aleancës Demokratike, Neritan Ceka, i cili në një prononcim për gazetën “Albania” zbulon iniciativën e partive të vogla parlamentare. “Ne kemi bërë kërkesa të vazhdueshme, edhe pronocime publike, ku kemi kërkuar rifillimin nga puna të Komisionit të Reformës Zgjedhore. Por puna në këtë komision qëllimshëm vazhdon të mbahet e bllokuar. Për këtë arsye, nisur nga rëndësia e reformës zgjedhore, një numër i konsiderueshëm deputetësh në emër të partive të vogla parlamentare do të kërkojnë shkarkimin e dy bashkëkryetarëve të Komisionit, Kastriot Islami dhe Ilir Rusmali”, - tha Ceka.
Partitë e vogla
Presidenti i PAD-së, Neritan Ceka, parashikon një rezistencë të fortë të partive të vogla parlamentare ndaj dy partive të mëdha, PD e PS. Ceka deklaroi unifikimin e partive të vogla për të mbrojtur realizimin e ndershëm të reformës zgjedhore kundër marrëveshjeve dhe pakteve të fshehta të dy partive të mëdha. “Reforma zgjedhore është një reformë kushtetuese dhe jo reformë “alla Haxhi Qamili”. Ne nuk do të lejojmë të luhet me fatin e votës së lirë dhe të demokracisë në Shqipëri. Bllokimin e Komisionit për Reformën Zgjedhore do ta zgjidhim me kërkesën e një grupi deputetësh për shkarkimin e dy bashkëkryetarëve të këtij komisioni. Ne jemi kundër sistemit proporcional rajonal dhe propozimeve të bëra dhe për këtë arsye do ta zhvendosim betejën tonë në parlament, madje edhe duke kërkuar mbajtjen e një referendumi”, - tha Ceka.
Reforma
Çështja e reformës zgjedhore është kthyer në mollën e sherrit për politikën shqiptare. Ndërsa Partia Demokratike e ka hedhur topin në fushën kundërshtare duke deklaruar se mirëpret propozimet e opozitës, Partia Socialiste është shprehur e vendosur për sistemin proporcional rajonal (i ngjashëm me modelin spanjoll), për përdorimin e listave të mbyllura dhe për rritjen e pragut elektoral. Por këto propozime janë kundërshtuar ashpër nga partitë e vogla parlamentare, të cilat kanë akuzuar PS-në për marrëveshje dhe pakte të fshehta me PD-në. Reaksionin më të fortë e shkaktoi Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila prishi marrëdhëniet me PS-në duke fajësuar lidershipin e kësaj partie për pakte të fshehta me PD-në që dëmtojnë demokracinë e zgjedhjeve në Shqipëri. LSI-ja ka shpallur krijimin e koalicionit të ri “E majta për integrim”, koalicion që është mbështetur zyrtarisht deri tani nga Aleanca Demokratike dhe Partia Demokracia Sociale.

26 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›