Paskuqan, Rexha i PD-së merr 2000 vota më shumë se kandidati i opozitës
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur dje rezultatin zyrtar të zgjedhjeve të pjesshme vendore të zhvilluar më 24 shkurt në Komunën e Paskuqanit. Këto zgjedhje u fituan nga kandidati i Partisë Demokratike, Fatos Rexha, kundrejt kandidatit të PSD-PS Gjin Prengaj. Në zgjedhjet në Komunën e Paskuqanit votuan 7298 votues nga 26102 zgjedhës, në nivel 27.96 për qind. Kandidati i maxhorancës, Fatos Rexha, mori 4159 vota (59.46 për qind), ndërkohë që kandidati i opozitës fitoi 2836 vota (40.54%). Në deklaratën për shtyp të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, procesi zgjedhor në Komunën e Paskuqanit pati vlerësime pozitive. “Zgjedhjet e pjesshme për kryetarin e Komunës Paskuqan shënuan një tjetër arritje në kuadër të plotësimit të standardeve jo vetëm zgjedhore, por dhe të klimës së qetë e tepër civile që i shoqëroi ato si gjatë fushatës elektorale, ditës së votimit, por dhe sa i takon fazës përmbyllëse, procesit të numërimit të votave. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpreh bindjen se ky fakt lidhet ngushtë me vetë performancën e kandidatëve, subjekteve politike që i mbështetën në këtë garë elektorale, por dhe të gjithë banorëve të Komunës Paskuqan”, - thuhet në deklaratën e KQZ-së.
26 Shkurt 2008