“Reformat dhe integrimi i Shqipërisë në BE, objektivat madhore të qeverisë”
Kryeministri Sali Berisha referon në Vjenë, gjatë konferencës “Bota në Vitin 2025”
Kryeministri Sali Berisha certifikon para personaliteteve të larta botërore, realizimin e reformave dhe integrimin e vendit në BE, si objektivat më të mëdha të kabinetit të tij.
Berisha vuri në pah para të pranishmëve, zhvillimet në Shqipëri si dhe përpjekjet e gjëra të qeverisë, për realizimin e kushteve që do të bëjnë të mundur liberalizimin e vizave dhe marrjen e statusit si vend kandidat në BE.
Realizimi i reformave dhe procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, ishin tematikat kryesore të diskutimit të kryeministrit Sali Berisha gjatë konferencës, “Bota në Vitin 2025”, i zhvilluar në Vjenë. Edhe pse ky aktivitet mbahet, për koincidencë në 20-vjetorin e rënies së murit të Berlinit, për kreun e qeverisë Berisha, u cilësua si momenti i hapjes së dyerve për zgjerimin e BE-së.
Gjatë fjalës së tij drejtuar politikanëve të lartë evropianë, pjesëmarrës në këtë konferencë, shefi i ekzekutivit shqiptar paraqiti një rezyme të gjatë të zhvillimeve të Shqipërisë gjatë viteve të fundit, në përpjekje për të realizuar standardet për liberalizimin e vizave dhe përshpejtimin e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.
“Është një nder i madh dhe një kënaqësi për mua të marr pjesë në këtë aktivitet dhe t’i drejtohem kësaj audience prestigjioze si dhe të ndaj me ju projektin madhor të Shqipërisë për integrimin evropian. Integrimi i Shqipërisë është për vendin tim, brezin tim dhe gjithë jetën time qëllimi më i madh. Është një koincidencë e bukur që ky takim ndodh në 20 vjetorin e rënies së murit të Berlinit. Kjo ishte ngjarja më e madhe në historinë e njerëzimit pas Luftës së Dytë Botërore. Është momenti i hapjes së dyerve për zgjerimin e BE-së dhe shpresat për t’u bërë anëtar i një organizate më të madhe. Procesi i integrimit në Bashkimin Evropian është shumë i rëndësishëm për mua dhe qeverinë time. Ky është në të vërtetë udhërrëfyesi i vërtetë për procesin e reformave. Fatmirësisht mbështetja për integrimin në BE në vendin tim është 95 për qind. Ky mbetet akoma projekti ëndërr i Shqipërisë”, u shpreh kryeministri Berisha, para të pranishmëve në konferencë.
Kryeministri shqiptar, deklaroi në vijim të referimit të tij se integrimi në BE dhe integrimi në NATO është për të gjithë rajonin forca drejtuese që do ta ndryshojë rrymën në drejtim tjetër nga konfliktet apo luftërat civile dhe drejt bashkëpunimit, miqësisë dhe një të ardhmeje të përbashkët.
“Në këtë kontekst, Deklarata e Selanikut në samitin e BE-së ishte me një rëndësi themelore sepse i jepte një perspektive Evropiane vendeve Ballkanike. Dhe kjo perspektivë për vendin tim dhe rajonin po shkon përpara”, tha Berisha.
Në vijim, kreu i qeverisë, u ndal tek Progres-Raporti i Komisionit Evropian i këtij viti për Shqipërinë, ku theksoi në mënyrë të veçantë përmbushjen e standardeve në zgjedhjet parlamentare.
“Dy ditë më parë Komisioni Evropian publikoi Progres-Raportin mbi rajonin dhe vendin tim. Raporti përmbante një lajm shumë të mirë për Kroacinë dhe falë progresit të bërë Kroacia merr premtimin të bëhet një anëtar i plotë në 2010-ën. Dhe ky është një lajm i mirë edhe për të gjithë rajonin. Gjithashtu, është premtuar hapja e bisedimeve për një marrëveshje hyrëse me Maqedoninë. Ndërkohe, Shqipëria është në pritje pasi ka aplikuar për statusin e vendit kandidat në BE. Pra, të gjitha vendet tona po punojnë drejt një të ardhmeje të përbashkët. Unë shpresoj që ky proces do të jetë i favorshëm për ne. Kjo do të ishte në interesin më të mirë të qytetarëve tanë. Vendet tona duhet të ecin pasi qëllimi është i përbashkët, të bashkohen me ju, me zonën e demokracisë së konsoliduar. Këtë vit ne kemi shënuar arritje të mëdha. Këtë vit ne zhvilluam zgjedhjet më të mira me teknologjinë më të lartë si listat elektronike të votuesve, gjendjen civile të dixhitalizuar, procesin e numërimit të votave që u filmua nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Ne siguruam procesin më transparent”, theksoi kryeministri Berisha.
Një tjetër sfidë, tha kryeministri, për projektin “Shqipëria evropiane”, vijon të jetë dhe beteja në luftën zero tolerancë ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Unë mbetem shumë i angazhuar në luftën kundër korrupsionit dhe do të bëjmë çdo përpjekje kundër tij. Ne e nxorëm administratën publike nga konflikti i interesit. Ne gjithashtu morëm masa për të mos lejuar përdorimin e parave publike për qëllime të tjera private. Dhe falë kësaj, qeveria ime ka arritur të shkurtojë shpenzimet operative me rreth 5 për qind të PPB-së. Ne kemi punuar edhe për të shkurtuar procedurat”, u shpreh Berisha.
Për sa i takon luftës kundër krimit, kreu i qeverisë vlerësoi se vetëm në pak vite, u bë progres i shënuar në këtë drejtim.
Kryeministri shqiptar, citoi në përfundim të fjalës së tij se, tashmë Shqipëria është kthyer në një vend tërheqës për investime dhe se shifrat janë inkurajuese.
“Në 2008 ne kishim një rritje ekonomike prej 8 për qind. Në 2009 kjo shifër ka një rënie, por është akoma mbi 5 për qind. Kujtoj fjalët e Sharl Dë Golit mbi Evropën të shtrirë nga Vladivostoku deri në Vankuver, Evropë e cila sot po ecën drejt zgjerimit të saj”, tha në përfundim, kryeministri Berisha.
Kreu i qeverisë takon një sërë personalitetesh evropiane në Vjenë
Berisha: Koha për heqjen e vizave dhe integrimin e Shqipërisë në BE
Në kuadër të vizitës në Vjenë, ku mori pjesë në punimet e konferencës “Bota në vitin 2025”, kreu i qeverisë Sali Berisha takoi një sërë personalitetesh evropiane, ku në qendër të bashkëbisedimeve ishte progresi i Shqipërisë dhe programi ambicioz për projektin Evropian. Një takim të përzemërt, kryeministri Berisha zhvilloi me Joseph Daul, kryetari i grupit të Partive Popullore Evropiane në Parlamentin Evropian, i cili përgëzoi kreun e qeverisë shqiptare, për arritjet e kabinetit të tij, në implementimin e reformave themelore për integrimin e vendit dhe vendosmërinë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit në vend.
Kryeministri Berisha e njohu Daul me reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare drejt përmbushjes së standardeve dhe kritereve të nevojshme për integrimin e vendit në BE, si dhe me vlerësimet e rëndësishme të Komisionit Evropian në Progres-Raportin për Shqipërinë gjatë vitit 2009, i cili në vizionin e kryeministrit Berisha do të shërbejë si një road-map për qeverinë shqiptare në procesin e integrimit evropian.
Gjithashtu Berisha shfrytëzoi këtë rast, për të kërkuar mbështetjen e grupit të Partive Popullore Evropiane për procesin e liberalizimit të vizave për shqiptarët, si dhe për nxitjen dhe suportin në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Ndërkaq, kryeministri shqiptar, në mbyllje të vizitës së tij në Austri, ishte i ftuar në tavolinën e nderit të darkës zyrtare, ku ndodhej i ulur pranë me Presidentin e Parlamentit Evropian Jerzy Buzek, me të cilin pati rastin për të diskutuar gjerësisht dhe për ta njohur me zhvillimet e rëndësishme në Shqipëri, me realizimin dhe arritjet e reformave në fushën ekonomike, politike dhe sociale në vend, me përpjekjet e qeverisë shqiptare për të plotësuar me prioritet të gjitha standardet dhe kërkesat për liberalizimin e vizave për shqiptarët dhe për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE nga Shqipëria.
Buzek shprehu vlerësimet e tij të larta për arritjet dhe sukseset që kishte bërë të mundur qeveria shqiptare në këto vitet e fundit, në implementimin e reformave themelore për integrimin dhe zhvillimin e vendit.
Ai i shprehu urimet e tij më të sinqerta kryeministrit Berisha për rizgjedhjen e tij në këtë post, si dhe pranoi me kënaqësi ftesën që Kryeministri Berisha i drejtoi zotit Buzek për të vizituar Shqipërinë.