E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama-Meta, fillon dialogu me letra

Ilir Meta, përmes një letre, ftoi sërish dje socialistët që të reflektojnë. Kreu i LSI-së konstaton se ka përcjellë me interes rikthimin e Ramës te ftesat për një bashkim të ri. "Këto janë vërtet përpjekje të lavdërueshme, por që, për fat të keq, kanë dhe shumë pika të errëta, të cilat mund dhe duhet t‘i qartësoni, për ne e për opinionin publik shqiptar, ju e askush tjetër", konstaton Meta. Ndërsa ngre pikëpyetje nëse LSI-ja po thirret që të përmbushë edhe çështjet e tjera të axhendës opozitare. "Përveç zgjedhjes së Presidentit që me votat e partisë që drejtoni u mor nga Berisha, zgjedhjeve të parakohshme që nuk u realizuan kurrë, e reformës zgjedhore, që ju e bëtë përsëri vetëm me Berishën", shkruan Meta. Çështje për të cilat, ai kujton se ishte nënshkruar një "marrëveshje historike", e vitit 2006. Ai shtron edhe dilemën nëse ideja e Ramës për bashkimin e ri ka të bëjë me koordinimin e veprimit opozitar, për të larguar Kryeministrin e korruptuar të Gërdecit, por këtë herë jo me protesta pa zë. "Nëse është kjo e fundit, le t‘ia nisim urgjent, që sot, pa humbur asnjë minutë, dhe më së pari me mbrojtjen e Kushtetutës së shembur e të përçudnuar në natën e errët të 21 prillit, në tradhti të plotë nga 115 deputetë, të cilët përbaltën vullnetin e një milion shqiptarëve që e votuan atë në vitin 1998", vlerëson Meta. Ndërsa tregohet i gatshëm për t‘u bashkuar një orë e më parë, për të ndrequr atë që "ju shkatërruat, nga naiviteti, moskuptimi apo shantazhi, së bashku me Sali Berishën, në një përpjekje të paprecedentë në historinë e pluralizmit politik". Materializimi i "Bashkimit të ri" në këndvështrimin e kreut të LSI-së mund të arrihet përmes një nisme konkrete, të denjë për çdo mision opozitar. "Le ta nisim ‘Bashkimin e ri‘, zoti Rama, me bashkimin e firmave të deputetëve tuaj, me kërkesën tonë për organizimin e referendumit për ndryshimet kushtetuese!", shprehet Meta. Duke shtuar se kjo thirrje mund ta vërë Ramën në vështirësi, duke marrë në konsideratë rolin e tij në këtë zhvillim. "Por nëse qetësisht vlerësoni se çfarë ka ndodhur dhe se çfarë ne kërkojmë, atëherë me siguri, nuk ka asnjë arsye parimore për ta kundërshtuar", vijon letra. Ish-kryeministri kërkon thjesht dhe vetëm që t‘i jepet demokracisë dhe qytetarëve një mundësi më shumë. Meta mendon që aleatët e mundshëm të së nesërmes, të paktën, të pastrojnë ndërgjegjet e vrara e t‘i kthejnë popullit të drejtën më të ligjshme, atë të votës, t‘i japin popullit të drejtën që të shprehet për Kushtetutën e tij. LSI-ja këmbëngul se duhet të vendosë populli, nëse pranon që Kushtetuta e vendit të tij të ndryshojë - sipas deklarimit të vetë Kryeministrit Berisha, në 70% të saj. "Në kulisa, brenda tri orëve, me një procedurë të paprecedentë dhe ilegjitime, që s‘përfilli askënd, përveç llogarive për numrat e deputetëve të kapur dhe hallexhinj", shkruan Meta. I takon popullit, shton ai, të shprehet nëse pranon, që Kushtetuta e vendit të tij të jetë e kundërta e asaj që fitoi në referendumin e vitit 1998. Të përmbyset me qëllimin e vetëm për të çimentuar pushtetin e Kryeministrit Berisha përmes ndryshimit të neneve 104 e 105 lidhur me mocionin e besimit e mosbesimit të Kryeministrit. Nëne nëpërmjet të cilëve, argumenton Meta, Parlamenti humbet kontrollin ndaj Kryeministrit. Ai akuzon Ramën se me ndryshimet që ka pranuar t‘i bëhen Kushtetutës po instalon një shtet partiak dhe sundimin kryeministror të Sali Berishës. "Veçse nëse populli shqiptar dëshiron të certifikojë këtë ‘Republikë të Sali Berishës‘ - atëherë ashtu u bëftë! Përndryshe, askush nuk mund ta vendosë këtë në tavolinë, as edhe ju me Sali Berishën", thuhet në letrën e Metës për Ramën.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›