E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prefekti injoron gjykatën, ndërhyn në Patos

Thërret një mbledhje nën drejtimin e kryetarit të kontestuar. Pritet përsëritje e protestave
Prefekti i Fierit, Bujar Hasaj, ka ndërhyrë në konfliktin politik të ndezur mes të djathtëve dhe të majtëve në Patos, pa pritur verdiktin e Gjykatës për zgjidhjen e problemit të Këshillit Bashkiak. Prefekti është përpjekur së fundi t’i japë vetë zgjidhje “ngërçit” të krijuar prej tre muajsh me Këshillin Bashkiak të Patosit. Nëpërmjet zyrës së shtypit, Prefektura e Fierit ka informuar se ditën e enjte do të zhvillohet mbledhja e Këshillit Bashkiak Patos, ndërkohë që në të është paralajmëruar se do të marrë pjesë prefekti Bujar Hasaj.
Prefekti i Fierit tashmë e ka deklaruar pozicionin e tij mes dy palëve të Këshillit Bashkiak të Patosit. Ai është deklaruar pro vendimeve të marra nga një pjesë e këshilltarëve të djathtë, të cilët tashmë kanë emëruar në krye të këshillit bashkiak përfaqësuesin e PD-së, Leonard Behaj. Gjithashtu burime nga Prefektura e Fierit bënë të ditur se gjatë mbledhjes së të enjtes, Këshilli Bashkiak i Patosit do të marrë në shqyrtim pesë vendime të rëndësishme, të cilat janë mbajtur peng për tre muaj, për aq kohë sa bojkoti dhe debatet kanë përfshirë këtë këshill.
Po ashtu, mësohet se mbledhja do të kryesohet nga Leonard Behaj, kryetari i zgjedhur në një lokal privat nga këshilltarët e PD-së, LSI-së dhe PDI-së. Ndër problemet më kryesore që pritet të diskutohet është çështja e vulës, e cila mbahet ende nga kryetari i bashkisë, Bardhi Meli, dhe kryetari i mëparshëm i këshillit bashkiak, përfaqësuesi i PS-së, Maksim Goga.
Gjithashtu, burime nga prefektura, detajojnë për “Shqip” se do të diskutohet edhe problemi i degës së Thesarit, ku Bashkia e Patosit ka të bllokuara një sërë fondesh, ku përfshihen edhe pagat për ndërmarrjen e pastrim-gjelbërimit apo edhe ndihma ekonomike për familjet e varfra të qytetit. Qysh nga muaji tetor i vitit të kaluar, Këshilli i Pushtetit Vendor të Patosit nuk ka mundur të mblidhet, pasi është përfshirë nga bojkoti dhe debatet e ashpra, që degjeneruan në krijimin e dy këshillave bashkiakë që funksionojnë paralelisht. Mazhoranca e re LSI-PD-PDI riformatoi këtë këshill, duke kërkuar dhe largimin e kryetarit Maksim Goga, që i përket PS-së.
Ndërkaq mbledhjet e këshillit bashkiak u bllokuan për më tepër se katër herë nga protestat e punonjësve të ndërmarrjes së pastrim-gjelbërimit të bashkisë, të cilët nuk janë paguar që prej disa muajsh.
Ndërsa prefekti i Fierit, Bujar Hasaj, njohu kryetarin e ri që i përket PD-së, ish-kryetari Maksim Goga e çoi çështjen në gjykatë, por ende nuk është marrë një vendim. I pyetur nga gazeta “Shqip”, Maksim Goga tha se pa u shprehur gjykata, përpjekjet e mazhorancës së re apo dhe të prefektit cilësohen të kundërligjshme.
Ndërkohë burime nga qyteti i Patosit bëjnë të ditur se mbledhja e paralajmëruar për t’u zhvilluar ditën e enjte nuk do të mund të zhvillohet, pasi punëtorët e bashkisë dhe ata qytetarë që trajtohen me pagesa të përkrahjes sociale do të hidhen në protestë, për të kundërshtuar drejtuesit e rinj të këshillit.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›