Peshkopi Artemije kundër Tadiçit
Kleriku konservator, i pakënaqur nga mesazhet e “buta” të Presidentit serb
Përplasje në mes Kishës Ortodokse serbe të Kosovës dhe Presidentit Boris Tadiç. Vizita e Presidentit në Kosovë, me rastin e Krishtlindjeve ortodokse, siç duket nuk ka zemëruar vetëm shqiptarët, por edhe një pjesë të serbëve, konkretisht kreun e Kishës Ortodokse serbe në Kosovë. Peshkopi serb Rashkë-Prizren, Artemije, ka kritikuar dje Tadiçin për shkak të siç thuhet, vendimit që si burrë shteti për Krishtlindje të vizitojë manastirin e Deçanit, por që paraprakisht nuk ka kontaktuar me peshkopatën Rashkë-Prizren. Peshkopi Artemije, në një letër të hapur drejtuar Tadiçit, ka vlerësuar se në këtë mënyrë po krijon përçarje në rendin kanonik të Kishës Ortodokse serbe. "Sikur të më ishit drejtuar zyrtarisht dhe të kishit shprehur dëshirën për të vizituar Deçanin, me siguri që këtë nuk do t'jua mohoja. Atëherë unë si mikpritës, atje edhe do t'ju prisja, siç e do rendi. Megjithatë kjo është shtëpia jonë, në të cilën hyni, e mikpritësi, edhe nuk e di. Madje paralajmëroni se kështu edhe në të ardhmen do të bëni", citojnë mediat serbe letrën e peshkopit Artemije. Ndonëse kjo letër ende nuk komentohet, por nga dy vizitat e fundit të Presidentit serb Tadiç në Kosovë bie në sy se ai ka vizituar vetëm Manastirin e Deçanit, gjë që si duket ai me qëllim ka anashkaluar Artemijen dhe manastirin e Graçanicës. Në Graçanicë, Artemije ka qenë mikpritës i ish-kryeministrit Vojisllav Koshtunica, me të cilin ai është i afërt.
Si duket, Tadiç është i afërt me peshkopin e moderuar Teodosije të Lipjanit, selia e të cilit është në Deçan dhe i cili nuk është në marrëdhënie aq të mira me Artemijen.
Vizita
Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, i cili ka qenë më 6 janar për një vizitë të karakterit fetar në Manastirin e Deçanit, ka qenë i kujdesshëm gjatë adresimit për gazetarët. Ndryshe nga vizita e një viti më parë, Tadiç ka përcjellë vetëm mesazhe paqeje me rastin e festës ortodokse të Krishtlindjeve. "Duke shënuar lindjen e Jezu Krishtit, u dërgojmë mesazh paqeje të gjithë njerëzve pa marrë parasysh identitetin, mesazh paqeje për të gjithë ata që sot dhe nesër shënojnë këtë festë të krishterë, por edhe atyre që nuk festojnë. Kjo është një mundësi për ata të cilët ishin në mosmarrëveshje dhe keqkuptime, t’ia zgjasin dorën njëri-tjetrit", tha Tadiç në Deçan. ”Unë si President i Serbisë, në Deçan dërgoj një mesazh paqeje kudo dhe në emër të të gjithë qytetarëve të Serbisë, në emër të shtetit serb dhe në emër timin, duke besuar se paqja është më shumë se çdo gjë e nevojshme në këtë hapësirë të përbashkët në të cilën jetojmë, se paqja është e nevojshme për të gjitha kombet, tërë njerëzve që ndajnë fatin e përbashkët në këto hapësira shumë të vështira dhe komplekse të Ballkanit”, ka shtuar Presidenti serb. Tadiçi, i cili është pritur nga klerikët e manastirit të vjetër mesjetar, tha se gjendja e manastireve serbe, klerit dhe monumenteve, si dhe statusi i tyre në Kosovë kanë rëndësi thelbësore për ruajtjen e identitetit kombëtar serb. “Disa nga manastiret tona në Kosovë nuk ishin vetëm një pjesë e trashëgimisë sonë kombëtare dhe fetare, ato janë pjesë e trashëgimisë kulturore botërore dhe prandaj nuk janë vetëm tonat, por pasuritë kulturore të së gjithë botës dhe të të gjithë njerëzve që jetojnë në këtë botë. Në këtë kuptim, është obligim i ynë i veçantë për të ruajtur trashëgiminë kulturore dhe themelin, si identitet tonin dhe si pjesë e trashëgimisë kulturore të botës", ka thënë Tadiç.
#